Kombëtarja e Spanjës ka fituar derbin e Grupit G ndaj Italisë me rezultat 3-0, grup ky në të cilin gjendet edhe kombëtarja e Shqipërisë.
Ndeshja derbi mes dy kombëtareve të mëdha evropiane e vlefshme për kualifikimet e botërorit Rusia 2018 i ka takuar vendasve spanjoll, të cilët e kanë dominuar gjithë ndeshjen.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 14 kur mesfushori i Real Madridit, Isco shënoi një supergol nga goditja e dënimit prej 20 metrave.
Isco ishte ai që dhuroi magji edhe në minutën e 40 të ndeshjes, ku shënoi gjithashtu një gol të bukur nga distanca për 2-0 dhe dërgoi skuadrat në pushim me këtë rezultat.
Edhe në pjesën e dytë kombëtarja La Roya ishte më kërkuese dhe diktonte lojën, teksa arritën të shënoj edhe golin e tretë dhe të qetësisë.
Ishte sulmuesi i Chelseat, Alvaro Morata, i cili shënoi nga afërsia në minutën e 77 për 3-0 pas asistimit të Sergio Ramosit dhe vulosi rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshjes.
Pas kësaj fitore, Spanja prin e vetme në Grupin G me 19 pikë, ndërsa Italia gjendet në vendin e dytë me 16 të tubuara. /Telegrafi/