Telegrafi

Spalletti: Gabimi im nëse Roma dështon

Trajneri i Romës, Luciano Spalletti ka ripërsëritur se nëse ai nuk fiton atëherë është e drejtë e tij që të largohet pasi që nuk ka bërë në atë rast punën e duhur me potencialin që ka ekzistuar.

Roma është në pozitë të fortë për t’u kthyer në diskutim për titull pas fitores solide ndaj Empolit, por gjithnjë nëse Juventusi mposhtet nga Napoli.

“Them se kemi pasur pak vështirësi, sidomos në pjesën e parë, por në pjesën e dytë kemi bërë më mirë dhe fitorja ishte e merituar”.

“Para së gjithash ne është dashur të luajmë mirë dhe të fitojmë. Ne e bëmë këtë vetëm një pjesë, por morëm pikët”.

“Napoli – Juve është prëballje e dy ekipeve të forta, trajnerëve të fortë dhe sistemeve solide, kështu që ne do të shohim çka do të ndodhë pas vërshëllimës së fundit”.

“Unë me gjithë dëshirë do të shkoja në San Paulo për këtë ndeshje sepse është spektakël t’i shikosh këto dy ekipe. Unë isha këshilluar se do të ishte problematike të shkoj atje dhe të jem personalisht prezent”, deklaroi Spalletti. /Telegrafi/