Sot (e premte) do të fillojë edhe zyrtarisht turneu i pingpongut “Prishtina Open Table Tennis International Tournament 2024” që do të mbahet për tri ditë radhazi.
Nga sot, 7 qershor, deri të dielën më 9 qershor, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit (salla e basketbollit), do të mbahet turneu internacional i pingpongut “Prishtina Open 2024”.
Kjo ngjarje ndërkombëtare është edicioni i dytë i “Prishtina Open”, turne ky i cili do të ofrojë një mundësi të shkëlqyer për të promovuar Qytetin Evropian të Sportit, Prishtina 2024.
Në konferencën e sotme për shtyp, organizatori i turneut, Kryetari Klubit të Pingpongut Priping, Kastriot Orana ka treguar se në këtë turne pjesëmarrës do të jenë rreth 300 lojtarë nga mbi 20 shtete të botës.
“Prej sot, me 7, 8 edhe 9 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë do të mbahet turneu ndërkombëtar i dytë i pingpongut “Prishtina Open”. Këtë vit, për dallim prej vitit të kaluar, do të ketë masivitet më të madh. Ka pjesëmarrje prej 20 shteteve dhe do të garojnë afër 300 lojtarë të kategorive të ndryshime”, ka thënë fillimisht Orana.
“Do të mbahen kategoritë e veteranëve, nesër do të luajnë juniorët e U17 dhe U21 dhe të dielën në mëngjes fillojnë U13, ndërsa pasdite do të luhen ndeshjet kryesore të seniorëve”.
“Këtë turne kemi lojtarë nga Rumania, Greqia, Ukraina, Irani, Egjipti dhe plotë vende të Evropës, pasi këtë vit jemi edhe qytet evropian i Sportit, kemi dhjetëra lojtarë nga shtetet evropiane si Franca, Gjermania, Anglia, Austria, Bullgaria dhe vendet e rajonit”, përfundoi organizatori i turneut.
Pas Oranës, në konferencën për shtyp ka folur edhe Drejtori i Sportit dhe Rinisë në Komunën e Prishtinës, Bardh Krasniqi, i cili turneun e ka cilësuar si një nga ngjarjet më të mëdha në vend.
“Prishtina Open 2024 është një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në vend. Pikërisht kjo është njëra prej arsyeve që jemi zgjedhur qytet evropian i sportit. Prishtina këtë vit do të kumbojë me sport, rini, kulturë dhe aktivitete të ndryshme. E gjithë kjo falë jush si klube, si federata si OJQ”, ka thënë fillimisht Krasniqi.
“Ne si komunë synim të vetëm e kemi që bashkë me ju të jemi platformë zhvilluese për të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit, të cilët pastaj po i plasojmë dhe po ia shohim frytet dhe po shndrisin në arenën nderkombetare dhe kjo është një prej aktiviteteve që po ua mundojnë të rinjve dhe të rejave tona”, përfundoi drejtori i Sportit.
Ndryshe, ndeshjet e para gjatë ditës së sotme fillojnë nga ora 17:00. /Telegrafi/