Site icon Telegrafi

Sot bëhen 9 vjet kur filloi operimet Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS)

Ende pa u bërë një dekadë, rrjeti elektrik i vendit është shumë më i avancuar në të gjithë parametrat. Kjo u arrit falë investimeve të KEDS-it, që nisën menjëherë dhe tashmë janë investuar mbi 200 milionë euro duke u realizuar afro 2000 projekte përmes kompanive kontraktuese apo përmes ekipeve të veta të Mirëmbajtjes.

“KEDS ka punuar fuqishëm gjatë këtyre nëntë vjetëve në modernizimin e infrastrukturës së rrjetit dhe të shërbimeve. Sot, mënyra e leximit dhe faturimit të konsumatorëve është komplet i digjitalizuar. Afro 85 për qind e orëve që njehsojnë energjinë elektrike për konsumatorët janë digjitale.

Paralelisht është punuar edhe në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes dhe sigurinë e furnizimit. Nga kjo, ka rezultuar që numri i përgjithshëm i ndërprerjeve të energjisë elektrike (SAIFI) gjatë operimeve të KEDS-it në krahasim me periudhën e mëhershme të ulet për 64 për qind, ndërsa indeksi i kohëzgjatjes së përgjithshme të ndërprerjeve (SAIDI) në nivel vendi të ulet për 70 për qind”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit thuhet se KEDS po punon në standardizimin e kapaciteteve të rrjetit në nivel evropian përmes dyfishimit të kapaciteteve të rrjetit, duke kaluar nga niveli 10kV në 20kV në zonat më të populluara. Tashmë këto linja, që nuk ekzistonin fare në Kosovë më herët, janë vendosur në një pjesë të konsiderueshme të vendit, duke përfshirë shumicën e Prishtinës. Gjatë periudhës në vijim po punohet që këto linja të shtrihen në qendrat e të gjitha qyteteve të Kosovës.

“Investimet në rrjetin distributiv kanë ndihmuar shumë edhe në zvogëlimin e humbjeve, që kanë rënë nga 31 për qind në 17 për qind.

Edhe bizneset nuk janë lënë anash. Falë përparësisë të nevojave të bizneseve dhe angazhimit çdo ditë në përmirësimin e kushteve për to, energjia elektrike nga problemi kryesor që e kishin në raportin Doing Business të Bankës Botërore, tashmë renditet si problemi i tetë. Investimet janë duke vazhduar, sikurse përmirësimet në të gjithë sektorët. Digjitalizimi dhe modernizimi i rrjetit të shpërndarjes do të vazhdojë, do të punohet fuqishëm në rritjen tutje të sigurisë së furnizimit, avancimit të shërbimeve dhe zvogëlimit të humbjeve. Paralelisht po punohet edhe në adaptimin e rrjetit për nevoja të prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme”, thuhet në njoftim.

Kompania është duke punuar në koordinim të plotë me të gjitha komunat e Kosovës që të përshtatë prioritetet e tyre zhvillimore, si në aspektin ekonomik ashtu edhe të zgjerimit të vendbanimeve në bazë të planeve urbanistike.

Pos aktiviteteve esenciale, KEDS ka qenë dhe vazhdon të jetë afër të gjithë qytetarëve të vendit, përmes dhjetëra projekteve në fushën e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës. Orientimi kryesor ka qenë në sektorin e edukimit, ku programi i KEDS Academy është qendrori dhe ndër kryesorët në nivel vendi, duke ua hapur dyert qindra të rinjve për karrierë të suksesshme. /Telegrafi/

Exit mobile version