Site icon Telegrafi

Sopia e Suharekës me rrjet të ri elektrik

Ndërrimi i trafos, dhe vendosje e shtyllave të reja të betonit, janë disa nga investimet që së fundi janë bërë në fshatin Sopi të Suharekës, ku kanë përfituar 220 konsumatorë.

Menaxheri për projekte në KEDS Naim Arapi, tha se në këtë fshat janë ndërruar 210 shtylla të tensionit të ulet dhe të mesëm , si dhe është vendosur një trafo e re 400 kvA (kilovolt Apmer).

“Po ashtu në këtë fshat kemi vendosur edhe një trafblindë metalike 630 kvA (kilovolt Apmer)”, tha Arapi.

Kryetari i fshatit Sopi, Sedat Elshani tha se infrastruktura e energjisë elektrike në këtë fshat ka qenë shumë e keqe. Ai tregon se shtyllat elektrike kanë qenë shumë të vjetruara.

“Shtyllat kanë qenë shumë të vjetruara. Kemi bërë disa kërkesa pasluftës, mirëpo askush nuk ka intervenuar. Tash KEDS-i i ka ndërruar shtyllat në gjysmën e fshatit, por kemi nevojë ende”, tha Elshani.

Ai tha se me këtë investim jo vetëm që është stabilizuar rryma elektrike, por edhe është eliminuar rreziku nga rrjeti i dobët.

Kryetari Elshani, shpreson se KEDS, do të marrë parasysh kërkesën e banorëve të këtij fshati, që sivjet të vazhdojë të investojë edhe në ato lagje ku nuk e ka bërë një gjë të tillë.

KEDS ka prezantuar në mesin e vitit të kaluar një Master Plan për rinovimin e rrjetit elektrik të Kosovës, i cili parasheh një investim rreth 300 milionësh deri në modernizimin e tërësishëm të rrjetit në vend./Telegrafi/

Exit mobile version