Kohëve të fundit, qytetarët e Kosovës po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike me orare të tejzgjatura.
Ky mosfurnizim i qytetarëve me energji elektrike reflektohet edhe nga të dhënat e sondazhit të Pyper ku prej të gjithë pjesëmarrësve, 66.74% e tyre kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike gjatë muajit dhjetor.
Ndërprerjet më të shpeshta të energjisë elektrike në shumicën e rasteve janë shkaktuar si pasojë e prishjes së rrjetit të energjisë elektrike, rregullimeve në rrjetin energjetik, reduktimeve etj.
Rreth gjysma e pjesëmarrësve (50.05%) kanë deklaruar se asnjëherë nuk janë njoftuar paraprakisht se do të ketë ndërprerje.
Vetëm një përqindje e vogël prej 7.44% thonë se gjithmonë informohen paraprakisht për ndërprerjet e energjisë elektrike kryesisht nga portalet (39.87%), të afërmit (28.14%), ueb faqja e KEDS-it (23.03%), televizioni (18.12%) etj.
Vlen të theksohet se ndërprerjet e shpeshta në furnizimin me energji elektrike është raportuar të kenë shkaktuar dëme për 22.53% të pjesëmarrësve.
Dëmet e shkaktuara përfshijnë prishjen e pajisjeve elektrike (55.19%), mosfunksionimin e duhur të pajisjeve elektrike (45.28%) si dhe shpenzime shtesë (37.74%).
Duke marrë parasysh gjendjen aktuale të sektorit të energjisë, në sondazh vërehet një pesimizëm rreth rregullimit të problemeve me energji elektrike brenda një periudhe të shkurtë kohore.
Përderisa 13.1% vlerësojnë se probleme të këtij lloji do të zgjidhen brenda 5 viteve të ardhshme, rreth ⅕ e pjesëmarrësve mbesin të mendimit se këto probleme nuk do të zgjidhen asnjëherë.
Mirëpo, përkundër këtij pesimizmi, krijimi i energjisë së ripërtëritshme (40.47%), ndërtimi i një termocentrali të ri (18.85%) si dhe përmirësimi i rrjetit shpërndarës të energjisë (18.57%) shihen si opsione të mundshme për zgjedhjen e problemit me energji elektrike.
Po ashtu, një mënyrë e mundshme për furnizim me energji elektrike konsiderohet edhe blerja e rrymës nga vendet fqinje (45.18%) ku pjesëmarrësit shprehen optimist se blerja e rrymës nga vendet fqinje është e domosdoshme për të pasur furnizim të rregullt me energji elektrike.