Bosi i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, është i nervozuar që imazhi i tij po përdoret nga një kompani bastesh për promocion.
Solskjaer i ka thënë NRK se problemin e ka bartur te avokatët pasi mësoi se Paddy Poëer ka shfrytëzuar imazhin e tij pa leje.
“Nëse ka ndonjë gjë me të cilën nuk dua të ndërlidhem, është një kompani e basteve. Ata do të kenë probleme me mua”.
“Unë ju premtoj se do t’ua dërgoj avokatin tim. Se do të ketë padi kjo është 100 për qind e sigurtë”, deklaroi Solskjaer.
Avokati i Solskjaer, Erik Flagan, thotë se komuniteti i biznesit anglez e ka ditur që një kohë të gjatë qëndrimin e norvegjezit.
“Rasti po shqyrtohet nga partneri jonë në Angli. Ne rekomandojmë që komuniteti i biznesit, sa herë duan të shfrytëzojnë imazhin ose emrin e Solskjaerit në kontekst komercial, të mendojnë për së dyti, përpara se të vijnë në situatë të papërshtatshme duke dhunuar të drejtat e imazhit të Solskjaerit”, theksoi avokati Erik Flagan.
Solskjaer njihet si një besimtar i devotshëm i fesë krishtere dhe prandaj gjithmonë ka refuzuar të ndërlidhet me bastet. /Telegrafi/