Emisioni “Dueli Botëror” në RTV Dukagjini, ka vazhduar edhe sot ku të pranishëm ishin Bylbyl Sokoli, Ismet Munishi dhe Afrim Tovërlani, tre trajner të njohur të futbollit tonë.
Treshja e njohur do të jenë analistët e Kampionatit Botëror Katar 2022 në RTV Dukagjini, ndërsa sot kanë folur për humbjen e Gjermanisë ndaj Japonisë.
Sokoli e cilësoi si ‘Grupin e vdekjes’, atë ku gjenden Spanja, Gjermania, Japonia dhe Kosta Rika.
“Grupi i Gjermanisë do të jetë më i vështiri në vazhdim. Pres me padurim duelin ndërmjet Spanjës dhe Gjermanisë. Unë mendoj që ky grup do jetë tejet interesant”, deklaroi Sokoli.
Në anën tjetër trajneri i njohur, Afrim Tovërlani ka diskutuar rreth “fuqisë” që ka Gjermania.
“Nuk është një Gjermani që e kemi pa shumë në të kaluarën. Nuk është skuadër e fortë sikur në vitin 2024. Japonia e meritoi fitoren”, deklaroi ai.
Edhe Ismet Munishi ka thënë që Gjermania e ka humbur bazamentin.
“Kam respekt për trajnerin e Gjermanisë, por e kanë humbur bazamentin. Japonia është skuadër e papërshtatshme”, deklaroi ai.
Kjo është vetëm nata e pestë e emisionit “Dueli Botëror” i cili do zgjasë deri në finalen e madhe të Kupës së Botës.
Edhe në netët në vazhdim do të ketë të ftuar të ndryshëm nga bota e sportit dhe jo vetëm, të cilët në fokus kryesor do ta kenë diskutimin për Kampionatin Botëror. /RTV Dukagjini/