Telegrafi

Sokoli, Tovërlani dhe Munishi flasin për fitoren e Marokut dhe problemet e Portugalisë

Emisioni “Dueli Botëror” në RTV Dukagjini, ka vazhduar edhe sot ku të pranishëm ishin Bylbyl Sokoli, Ismet Munishi dhe Afrim Tovërlani, tre trajner të njohur të futbollit tonë, ku kanë analizuar çerekfinalet e sotme.

Trajneri Bylbyl Sokoli mendon që Cristiano Ronaldo duhej të luante nga minuta e parë kundër Marokut.

“Ronaldon nuk e kanë mbështetur sa duhet Portugalia. Ai ka ardhur nga një kampionat që ka pasur probleme dhe ka hasur në të njëjtën atmosferë edhe në kombëtare. Mendoj që nuk kanë vepruar mirë me Ronaldon”.

“Po të fillonte Ronaldo do të ishte nder edhe për këtë trajnerin e Portugalisë. Ai ende është lojtar që mundet të jap shumë sepse nuk e ka humbur përgatitjen fizike, apo teknike. Ai ka probleme psikike, sepse pret me qenë i respektuar sikur ka qenë në të kaluarën”, ka thënë Sokoli.

Në anën tjetër Afrim Tovërlani shtoi se Rafael Leao është dashur të kishte më shumë minuta.

“Leao duhej të kishte minutazh më shumë, sepse kur inkuadrohej në lojë ishte i rrëzikshëm”, deklaroi Tovërlani.

Në fund edhe trajneri i njohur Ismet Munishi e ka komentuar fitoren e Marokut kundër Portugalisë.

“Është e vështirë me e mposhtë Marokun. Po mbrohet mirë, po ‘lufton’ , e kanë një portier të mirë. Maroku nuk ka presion, sepse me kalimin e grupit i kanë arritur objektivat”.

“Kjo skuadër e ka tranzicionin shumë të mirë, ndoshta po i mungon pak finalizimi i aksioneve, sikur me Spanjën ashtu edhe Portugalinë. Lojtarët që i kanë luajnë në klube serioze, futbollistët po i zbatojnë detyrat e trajnerit dhe është shndërruar në një skuadër shumë të vështirë për ta mposhtur”, deklaroi Munishi.

Kjo është nata e 21- të e emisionit “Dueli Botëror” i cili do zgjasë deri në finalen e madhe të Kupës së Botës.

Edhe në netët në vazhdim do të ketë të ftuar të ndryshëm nga bota e sportit dhe jo vetëm, të cilët në fokus kryesor do ta kenë diskutimin për Kampionatin Botëror. /RTV Dukagjini/