Telegrafi

Socializëm për të pasurit

Demokratët dhe republikanët në kongresin amerikan nën drejtimin e ministrit të financave Henry Paulson kanë rënë në parim dakord për paketën prej 700 miliardë dollarësh për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës financiare. Qeveria amerikane mund të blejë nga bankat borxhet e këqija dhe t’i lirojë ato nga rreziqet.

Deri në 700 miliardë dollarë do të shpenzojë shteti amerikan për blerjen e borxheve të këqija të bankave. Vlerën e këtyre borxheve nuk e di askush dhe një pjesë jo e vogël e tyre mund të jetë fare e pavlerë. Gabimet, lakmia e pakufi dhe mendjelehtësia, gomarllëku dhe po ashtu veprimet kriminale nuk dënohen ashtu siç e kërkojnë rregullat e ekonomisë së tregut, por shpërblehen. Dhe kjo jo vetëm për faktin se shteti sanon bilancin e bankave, por edhe pse konkretisht aktualisht bankat investuese në mënyrë të ndyrë janë sërish duke arkëtuar shuma të larta të dollarit, pfundit dhe euros.

Kriza më e madhe bankare që prej të premtes së zezë në vitin 1929 ka krijuar për këtë fushë të ekonomisë një model të ri rregullativ: socializëm për të pasurit. Fitimet privatizohen, humbjet i lihen shtetit dhe mbulohen në fund nga taksapaguesit. Në këtë mes kanë dështuar që të dy: tregu dhe shteti. Tregu ishte shfuqizuar qysh para 25 vitesh, kur bankat u shkëputen nga ekonomia reale dhe filluan të fryjnë gjithçka në tregun financiar. Shteti ose ka fjetur, ose ka kthyer kokën me qëllim mënjanë gjatë kontrollimit dhe rregullimit të tregut të financave. Një rendit prej 25 përqind e më shumë për kapitalin e deponuar është parë si diçka normale në vallen për thesarin e madh. Fjalën kryesore e kishte lakmia. Përshembull Lehman Brothers për çdo dollarë të investuar në kredi nga kapitali i vet ka dashur të nxjerrë të paktën 30 dollarë fitim. Kështu që duhej të ndodhte kjo, që ndodhi tani.

Në këtë kontekst përshtatet, që zjarrvënësi kryesor është në krye të zjarrëfikësve. Henry Paulson ka qenë shef i Goldman Sachs, një prej bankave më të suksesshme investuese dhe tani ai shpëton si ministër i financave kapitalizmin financiar amerikan. Dhe është më se e qartë se pa pakon prej 700 miliardë dollarësh do të kishte kresh në në bursën mbarëbotërore ashtu siç pat ndodhur në vitin 1929. Me pakon shpëtimtare në Uashington ndihmohen bankat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por njëkohësisht mënjanohet një panik i përgjithshëm në bursën mbarëbotërore. Kjo për faktin se askush nuk beson në fuqinë vetëshëruese të tregut para së gjithash jo ata, të cilët e dinë saktë se sa joserioze ka qenë rrota e madhe e cila është rrotulluar nga bankat dhe në bursa në këto dy dekadat e fundit.

Shpëtimi i sektorit fiunanciar nuk ka të bëjë me ekonominë e tregut. Ky rast mëkati për ekonominë e tregut tani duhet të shfrytëzohet si pikënisje e re. Bankat duhet të futen nën mbikqyrje dhe rregullim më të rreptë. Nëse nuk arrihet kjo, atëherë menjëherë pas shpëtimit, loja do të fillojë sërish nga e para. Kjo për faktin se lakmia si forcë kryesore shtytëse e bankave joserioze kësaj rradhe e mbijetoi krizën e padëmtuar.