Telegrafi

Skuadrat e kualifikuara në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve (Foto)

Ka përfunduar xhiroja e katërt e fazës grupore të Ligës së Kampionëve dhe tashmë i kemi skuadrat e para të kualifikuara në fazën e eliminimit direkt.

Të martën mbrëma janë caktuar skuadrat që do të luajnë në fazën tjetër të garës më të madhe evropiane për klube nga Grupi B.

 

Paris Saint-Germaini dhe Bayern Munichu tashmë e kanë siguruar kualifikimin, ndërsa ka mbetur të shihet se cila nga këto skuadra do ta zë vendin e parë, e cila të dytin.

Celticu dhe Anderlechti që janë pjesë e Grupit B do të konkurrojnë në dy xhirot e mbetura për një vend në Europa League.

Të mërkurën mbrëma, nga Grupi F është kualifikuar Manchester City pas fitores ndaj Napolit. Shakhtar Donetsku i ka gjasat më të madha që t’i bashkohet ekipit anglez nga ky grup.

Ndërkaq, skuadra napolitane me shumë gjasë do të vazhdojë në garën e dytë për nga rëndësia, Ligën e Evropës.

Pas fitores mbresëlënëse kundër Real Madridit, Tottenham Hotspur e siguroi pjesëmarrjen në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.

 

Los Blancos do ta kërkojnë kualifikimin matematikor në dy xhirot e mbetura të Grupit H, kur edhe do të vendoset se nga cila pozitë do të vazhdojnë tutje. /Telegrafi/