Ish-përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi dhe Alavesi i tij, nuk kanë arritur të mbajnë ritmin e rezultateve pozitive.
Pas fitores një javë më parë, këtë herë skuadra e tij ka pësuar një humbje me goleadë. 4-1 në favor të Getafes, që tregojnë momentin e vështirë që po kalon ekipi i De Biasit, por edhe vet trajneri.
Nuk mbahet mend se sa kohë kanë kaluar nga ndeshja e fundit kur ai ka pësuar katër gola, transmeton Panorama Sport.
Gjatë drejtimit të Kombëtares shqiptare kjo nuk ndodhi asnjëherë dhe maksimumi i golave të pësuar ishin tre.
Trajneri është rebeluar shumë me rezultatin e ndeshjes ndaj Getafes, si edhe për mënyrën se si luajti skuadra e tij.
“E kishim përgatitur ndeshjen shumë mirë, por nuk i bëmë ato që kemi bërë në stërvitje”.
“Goli i parë ishte për fajin tonë, ndërsa penalltia na ‘vrau’. Ishte shumë bujare nga ana e arbitrit, por ata e merituan fitoren”.
“Më vjen turp nga kjo situatë ku ndodhemi, por duhet të reagojmë patjetër në ndeshjen e ardhshme”, ka thënë ish-trajneri i Shqipërisë.