Site icon Telegrafi

Skënderbeu kërkon rezultat pozitiv kundër Mlada Boleslavit

Para ndeshjes së parë mes Mlada Boleslav dhe Skënderbeut, skuadra vendase është forcuar me lojtarë cilësorë.

Korçarët do të synojnë të marrin të paktën barazimin si mysafir i kësaj të enjteje në Ligën e Evropës, për të bërë një tjetër hap drejt fazës së grupeve, por çekët kanë besim te fitorja.

Nikolai Komlicenko, sulmuesi 22-vjeçar i ardhur në huazim nga skuadra ruse e Krasnodarit, është futur me shpejtësi në listën e UEFA-s dhe pritet të jetë në formacion ndaj shqiptarëve.

Por nuk është vetëm kaq. Mlada Boleslav ka rikthyer në ekip për dy ndeshjet ndaj Skënderbeut edhe portierin 19-vjeçar Martin Jedlicka.

Iu shtua kontingjentit të stafit teknik edhe sulmuesi Eli Babalj që deri pak javë më parë ishte në radhët e skuadrës australiane Adelaide United.

Ndërkohë, pas peripecive burokratike me vonesën e ambasadës për vizë çeke, sulmuesi James Adeniji u pajis me lejen për të hyrë në shtetin e Bashkimit Evropian.

Ai do të jetë një zgjedhje më shumë për trajnerin Daja të enjten në mbrëmje, duke konsideruar mungesat e Vujovic dhe Lilajt.

Mlada do të luajë ndaj Skënderbeut të enjten në orën 18:00 në stadiumin “Mestsky”, me një kapacitet modest 5 mijë njerëz. /Top Channel/

Exit mobile version