Skënderbeu bëri realitet arritjen historike të “play-off”-it të Ligës së Kampionëve. Korçarët e kanë të garantuar që do të jenë klubi i parë i vendit shqiptar që merr pjesë në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor të UEFA-s, pavarësisht sesi do të shkojë me Dinamon e Zagrebit.
Ndërkohë, UEFA.com ka publikuar disa fakte e kuriozitete në lidhje me këtë përplasje ballkanike, që do të zhvillohet për herë të parë nëpër kompeticionet evropiane.
- – Kjo është sfida e parë e Skënderbeut me një kundërshtar kroat. Për më tepër, klubet e Shqipërisë e Kroacisë nuk janë ndeshur kurrë në një nivel të tillë ndërkombëtar. Gjithsesi, fakt kurioz është që ekipet shqiptare janë të pathyera në 5 duelet e fundit me kundërshtarë kroatë, me 4 fitore e 1 barazim.
- – Në 12 precedentët midis klubeve shqiptare dhe kroate në kompeticionet e UEFA-s, Dinamo e Zagrebit ka një bilanc pozitiv prej 6 fitoresh ndaj skuadrave shqiptare e 2 barazimesh, ndërsa 4 fitore u takojnë ekipeve tona.
- – Duke u kufizuar vetëm në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, Skënderbeu ka treguar forcën e tij në fushën e vet, ku është i pathyer në 7 sfida të luajtura së fundi, me 6 fitore e 1 barazim.
- – Dinamo e Zagrebit është e pathyer në 4 ndeshje të këtij edicioni të kompeticionit më prestigjioz evropian. Vetëm se regjistron 3 barazime, plus edhe 1 fitore.
- – Mbrojtësi kroat i Skënderbeut, Marko Radas ka dalë nga akademia e Dinamos. Megjithatë s’ka luajtur asnjë ndeshje me skuadrën e parë.
- – Edhe lojtarë të tjerë të Skënderbeut kanë përvoja në futbollin kroat, si kapiteni Bledi Shkëmbi (te Rijeka 2002-2004), Sabien Lilaj (te Lokomotiva Zagreb në 2011–12), Arbër Abilaliaj (te Inter Zapreshiç në 2010–12) dhe bullgari Ventsislav Hristov (te Rijeka në 2014–15).
- -Dinamo e Zagrebit nuk ka në radhët e saj vetëm talentin 18-vjeçar nga Pogradeci, Endri Çekiçi. Një shqiptar tjetër në skuadrën kroate është edhe mesfushori Arjan Ademi, i lindur në Kroaci, por që ka zgjedhur të luajë me Maqedoninë në rang Kombëtaresh.