Telegrafi

Skënderbeu, 90 minuta larg grupeve të Ligës së Evropës

Ky 90-minutësh vlen sa kualifikimi për në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, në të cilën skuadra korçare ka mundur të kualifikohet edhe më parë.

Barazimi 1-1 në ndeshjen e parë, përpara 7 ditësh, është një plus minimal për Skënderbeun, që duhet medoemos të fitojë këtë përballje të dytë, apo të paktën të barazojë pa gola, që të bëhet pjesë e grupeve të Ligës së Evropës.

Trajneri Ilir Daja ka përsëritur vazhdimisht që pas ndeshjes së parë se asgjë nuk ka përfunduar dhe ka kërkuar të ulë euforinë që prodhoi paraqitja shumë e mirë e skuadrës së tij në Zagreb, që edhe golin e barazimit e pësoi në kohën shtesë.

Ai do t’i besojë të njëjtit formacion si në atë ndeshje, me të vetmin dyshim deri në momentet e fundit të mbrojtësit Bajram Jashanica, i cili ka një dëmtim të lehtë dhe për të do të  vendosë stafi mjekësor.

Edhe në seancën e fundit stërvitore të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në “Elbasan Arena”, trajneri Daja ka theksuar se skuadra e tij do të futet për ta fituar ndeshjen dhe për ta vënë në vështirësi kundërshtarin, duke e sulmuar që në fillim, në përpjekje që të zhvillojnë një lojë si ajo e 45 minutave të para në Zagreb.

Ndërkohë, një plus i rëndësishëm do të jenë edhe tifozët e shumtë që pritet të jenë të pranishëm në ndeshjen e sotme. Deri në orët e paradites të së enjtes janë shitur rreth 10 000 bileta për këtë takim, ndërkohë që rekordi i shikueshmërisë së një ndeshje të një klubi shqiptar në kupat e Evropës është pikërisht përballja e Skënderbeut me Dinamon e Zagrebit, rreth dy vite më parë, me 12 mijë bileta të shitura.