Telegrafi

Skena të pabesueshme pranë Sarajevës – rrugët u mbuluan nga akulli, sikur të ishte janari

Një stuhi e madhe e ndjekur nga bubullima, shi dhe breshër ka goditur zonën e Bjelashnica në Bosnjë dhe Hercegovinë të dielën pasdite.

Sipas mediave boshnjake, videoja e postuar nga një qytetar i Sarajevës në Facebook tregon një sasi të madhe akulli në seksionin e rrugës Bjelashnica-Krupac.

Dhe siç kanë komentuar mediat atje, skenat nga Bjelashnica janë joreale, sikur të ishte janari.

“Regjistrimi është nga ora 14.15. Ishte e tmerrshme dhe ky është një regjistrim pas stuhisë. Stuhia dhe reshjet zgjatën për rreth 20 minuta”, ka thënë një lexuese për portalin Radiosarajevo.ba, regjistrimin e së cilës e kanë publikuar mediat atje.

Lidhur me këtë ngjarje ka shkruar edhe mediumi tjetër boshnjak Slobodna-bosna.ba. /Telegrafi/