Site icon Telegrafi

“Skemat e Vuçiqit për t’i manipuluar zgjedhjet”: Publikohen pamje të tjera të ‘importimit’ të votuesve nga Republika Serbe në Beograd

Pasi kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjilas, publikoi një video ku thuhej se shihej se si partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiq (SNS) po “importonte votues” në kryeqytetin serb para zgjedhjeve, në portalin Nova.rs është dorëzuar një video e re që tregon skemën e regjistrimit të “banorëve të rinj të Beogradit”, të cilën po ashtu e ka shpërndarë Gjilas.

Sipas mediumit serb, përcjell Telegrafi, videoja që është realizuar më 3 shkurt, shpjegon se si është organizuar dhënia e shtetësisë dhe vendbanimit për personat që nuk janë nga Beogradi, si dhe si është koordinuar i gjithë procesi.

Njëkohësisht është regjistruar një dialog me njërin nga koordinatorët, i cili sipas rrëfimit të tij është përgjegjës për kryerjen e detyrës dhe marrjen në dorëzim të fletëpagesave.

Në një bisedë për Nova.rs, kryetarja e Bordit të Qytetit të Partisë për Liri dhe Drejtësi, Mila Popoviq, deklaroi se videoja e përmendur është një tjetër konfirmim se SNS sjell njerëz që nuk jetojnë në Beograd për të rritur numrin e votuesve në zgjedhje.

Lexo po ashtu Zbulohen "skemat" e Vuçiqit për t'i manipuluar zgjedhjet presidenciale në Serbi - publikohen pamjet e votuesve të paguar

“Partia Progresive Serbe nuk po arrin më të shantazhojë me vendet e punës apo të bëjë presion ndaj familjeve të anëtarëve të partisë për të mbledhur vota të mjaftueshme për zgjedhjet në Beograd… Prandaj po sjellin njerëz nga Republika Srpska që nuk jetojnë në Beograd, të cilët vetëm për shkak të zgjedhjeve bëhen ‘beogradas’ për të votuar për SNS”, vëren ajo.

Më herët, kryetari i SSP-së, Dragan Gjilas, ka publikuar një video ku shihet partia në pushtet duke “importuar” vota të sigurta nga Republika Srpska.

Në videon e publikuar nga kryetari i SSP-së thuhet se kushti i vetëm për marrjen e nënshtetësisë serbe, për personat që janë paraqitur në stacionet policore anembanë Serbisë në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij muaji, është të votojnë për SNS-në. /Telegrafi/

Exit mobile version