1. Skandali i basteve – Scommessopoli
Skandali më i ri i basteve, i dyti më i madh për nga përmasat pas Calciopolit, përsëri tronditi futbollin italian dhe botëror. Pikërisht, para fillimit të Euro 2012. Disa lojtarë të arrestuar, bastisje të shumta dhe kontrollimet dëmtuan edhe kombëtaren Azzure. Por, për një moment vëmendja ishte te trajneri i Juventusit, Antonio Conte, i cili dyshohej se ka bashkëpunuar në manipulime të ndeshjeve sa ishte trajner i Sienës. Pos tij, dënime të mëdha janë pritur edhe për Leonardo Bonuccin dhe Simone Pepen, të cilët me ish-skuadrat e tyre qartë dhe me fakte kishin marrë pjesë në fiksimin e ndeshjeve.
Përfundoi Euro 2012 dhe përsëri vëmendja u kthye kah Antonio Conte dhe dy lojtarët e tij të Juventusit. Stefano Palazzi, një prokuror pranë gjykatës së Kremonës, i cili njihet për sukseset e tij në Itali, ishte vazhdimisht cak i drejtuesve dhe tifozëve të Juventusit, por edhe i federatës italiane të futbollit. Kjo pasi ai kërkoi hiç më pak se një vit e tri muaj suspendim për Antonio Conten dhe nga tri vite suspendim për Leonardo Bonuccin dhe Simone Pepen.
Palazzi akuzonte Conten për mos paraqitje të manipulimeve të lojtarëve të tij të Sienës kur ishte trajner i kësaj skuadre në Serie B dhe për këtë ekzistonin prova. Dënimi prej një vit e tri muajsh për Conten nuk ishte më hipoteze, por tashmë pritej që të ndodhte. Të mos flasim për Leonardo Bonuccin dhe Simone Pepen. I pari, sa ishte lojtar i Barit me faktet më të mëdha që mund të ekzistojnë e që ishin në duart e Palazzit dihej se ka marrë pjesë në manipulimin e disa rezultateve, kurse i dyti, si lojtar i Udineses vazhdimisht frekuentonte bastoret italiane, gjithnjë sipas mediave të tyre.
Më datën 10 gusht, kishte radhën gjykata e Kremonës. Të gjithë prisnin dënime të rënda për të gjithë të lartpërmendurit, madje edhe vet hierarkia dhe tifozët e Juventusit. Por, krejt ‘pa pritmas’, ndodh çudia. Antonio Conte dënohet me vetëm 10 muaj suspendim, kurse më i çuditshëm është vendimi për Bonuccin, i cili u lirua plotësisht nga akuzat dhe luan i lirë. Se Bonucci ishte i sigurt në ‘pafajësinë’ e tij, e tregoi grumbullimi për Superkupën e Italisë disa ditë para 10 gushtit, ashtu sikurse ndeshjet miqësore. Ai luajti rregullisht, pa iu trembur syri.
Në fund, të gjithë akuzojnë federatën pse e dënoi Conten, por Juventusi në vend se të përkrah drejtësinë, paralajmëron apel dhe sigurisht pritet zvogëlim i dënimit, në bashkëpunim me federatën, natyrisht. Për Bonuccin të mos flasim fare, u lirua, përkundër grumbullit të fakteve nga Palazzi, i cili s’ka çfarë të bëjë, pos të heshtë. Për më shumë, Conte u lejua të jetë në zhveshtore dhe të përgatisë skemat për Superkupën, një praktikë të cilën do ta bëjë edhe në vazhdim të sezonit, e që është plotësisht kundër dënimit të shqiptuar ndaj tij.
2. Superkupa e Italisë – Pekin, 11 gusht 2012.
Nuk mund t’ia mohojmë ekipit kampion të Italisë kualitetet që posedon. Dorën në zemër, është ekipi më i fortë në Itali momentalisht. Por, nëse është më i fortë në fushë, nuk do të thotë se nuk është i fuqishëm edhe jashtë saj.
Të lëmë anash rrjedhën e takimit të Superkupës. Pranë rezultatit 2-2, në minutat përfundimtare, kur ishin pritur vazhdimet, gjyqtari i këtij takimi nxjerr një karton të kuq për futbollistin e Napolit, Goran Pandev. Pos maqedonasit, i cili u habit nga ky vendim, duke menduar mos ka gabuar gjyqtari, u habitën edhe të pranishmit dhe miliona shikues të këtij takimi. Vetëm për një ngritje afro 20 centimetra të këmbës, pa qenë as ndërhyrje e thjeshtë, Napoli mbetet pa një lojtar në terren. Edhe për karton të verdhë do të bëhej bujë, por edhe për një faul pa karton. Thjesht skandaloz ishte ky vendim, që i bëri lojtarët e Napolit të humbin toruan dhe në fund të mbesin me dy lojtarë më pak në terren, pasi nga nervoza, një prej tyre nuk arriti të përmbahej.
Në vazhdime sigurisht se Juventusi fitoi me dy gola epërsi të krijuara falë avantazhit numerik në fushë. Superkupa e bukur me shije të hidhur në fund ishte në duart e Juventusit, por sa e pastër është, mbetet pikëpyetje të madhe. Debati për favorizimin e Juventusit nga federata italiane ka filluar që moti, që nga ‘goli fantazmë i Muntarit’, i cili u kujtohet të gjithëve, u vërejt edhe nga hëna. Në orët e fundit ky debat ka marrë përmasa të mëdha në mediat italiane, ashtu sikurse në rrethet e gjera të atyre që e duan futbollin. Kjo, pasi ka ndodhur një rast i pa precedentë. Skuadra e Napolit nuk u shfaq fare në podium për të marrë medaljen, në shenjë proteste ndaj vendimeve skandaloze të gjyqtarit.
Tregimi nuk ka marrë fund, pritet të vazhdojë sezonin e ardhshëm…
Çfarë mendoni ju dashamirës të futbollit, çfarë po ndodh me futbollin italian? A është duke u përkrahur Juventusi nga federata, apo viktimizimi është i drejtë? Shprehuni në hapësirën për komente…
/Telegrafi/