Wissam Ben Yedder, sulmuesi 33-vjeçar francez me origjinë tuniziane, u dënua me dy vjet liri me kusht në një gjykatë në Nice për sulm seksual dhe drejtim të mjetit në gjendje të dehur.
Ben Yedder është një yll dhe një golashënues i dëshmuar i cili ka luajtur në Monaco për pesë vitet e fundit dhe ka shënuar 118 gola në 201 ndeshje. Sezonin e kaluar ai shënoi 20 herë. Ai luajti për Francën 19 herë.
Dy muaj më parë ai bëri të ditur se kontrata e tij me Monacon po skadon dhe se klubi nuk ka në plan ta rinovojë atë. Ishte një vendim i pazakontë, por shpejt u bë e qartë se çfarë fshihej pas tij. Përveç rastit të abuzimit në të cilin ai u dënua me dy vjet liri me kusht, paralelisht po zhvillohet një hetim për përdhunimin që dyshohet se është kryer nga Ben Yedder vitin e kaluar.
Në gusht 2023, Ben Yedder dhe vëllai i tij u akuzuan për përdhunim, tentativë përdhunimi dhe sulm seksual. Padia është ngritur nga dy femra të moshës 19 dhe 20 vjeç, të cilat pretendojnë se gjithçka ka ndodhur pak më parë në një hotel në Cote d’Azur.
Atij i është caktuar një garanci prej 900 mijë eurosh, të cilën e ka paguar, por ndërkohë nuk ka pasur shumë lajme për rastin. L’Equipe shkruan se e ka ndjekur aferën që në fillim dhe tani ekskluzivisht raporton se Ben Yedder i ka paguar 1.6 milionë euro vajzës që e ka paditur për të hequr dorë nga gjyqi.
Kjo marrëveshje është bërë tërësisht në fshehtësi dhe e projektuar nga avokatët. Një prej tyre është edhe avokati zyrtar i Princit Albert, për këtë arsye në opinionin francez po spekulohet se edhe kreu i shtetit kishte dijeni për këtë çështje.
Përkatësisht, L’Equipe zbulon se Ben Yedder ka transferuar para përmes transaksioneve fiktive përmes Jerome de Bontin, ish-kreut të një banke në Monako. Paratë i ka paguar në llogarinë e vajzës jashtë vendit dhe në përshkrimin e punës ka deklaruar se po shet të ashtuquajturat “të drejtat e imazhit”, një artikull që i referohet shitjes së potencialit të marketingut të një lojtari.
L’Equipe deklaron se Ben Yedder mund të marrë një dënim të gjatë me burg për shkelje të shumta të ligjit penal, jo vetëm me kusht. /Telegrafi/