Site icon Telegrafi

Skandal në Serie A: Pas rastit të Tonalit dhe Fagiolit, një tjetër lojtar po hetohet për bastvënie

Prokuroria Publike e Udines ka hapur një hetim ndaj portierit të Udineses, Maduka Okoye, pasi ai dyshohet për pjesëmarrje në bastvënie dhe nëse vërtetohet kjo, ai rrezikon përjashtimin nga garat deri në katër vite. 

Sipas një raportimi nga Gazzetta dello Sport, agjencia e basteve Sisal ka raportuar modele të pazakonta të lojërave të fatit nga algoritmet e saj, pasi një numër i madh njerëzish kishin vendosur bast që Okoye të ndëshkohej në ndeshjen që Udinese e zhvilloi në udhëtim ndaj Lazios në mars të 2024, aty ku portieri ishte ndëshkuar në minutën e 64-të për vonesë të lojës. 

Një paralajmërim i tillë ngjalli dyshime te prokurori publik, i cili gjithashtu po heton edhe rolin e Diego Giordanos, një 40-vjeçar i cili është pronar i një picerie në Udine. 

Gazeta shpjegon se si pronari i restorantit është nën hetime, pasi dyshohet se ka arritur një marrëveshje verbale për këtë bast në piceri dhe më vonë e kishte ekzekutuar atë në një prej pikave të Sisal në qytet, pak ditë para takimit mes Lazios dhe Udineses. 

Në rast se shpallet fajtor, Okoye mund të përjashtohet nga të gjitha garat për të paktën katër vite, përtej pasojave të tjera ligjore. 

Sidoqoftë, përfaqësuesit ligjorë të lojtarit kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se ato janë të pabaza dhe nuk kanë evidencë./Telegrafi/

Exit mobile version