Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se situata lidhur me zjarret pyjore në Parkun Kombëtar “Sharri”, të hënën, duket më e qetë, ndonëse janë aktive edhe disa vatra të vogla zjarri. Gjithashtu është theksuar se dëmet nga zjarri pyjor janë të konsiderueshme në aspektin e ekosistemit.
Kjo agjenci ka bërë të ditur se nga data 5 gusht 2024, kur janë paraqitur zjarret e para e deri dje në mesditë, në Parkun Kombëtar “Sharri”, ka pasur vazhdimisht zjarre pyjore, dhe atë kryesisht në zonën e Oshlakut, Majën e Arnenit dhe në Zonën e Prevallës.
“Dëmet nga zjarri pyjor janë të konsiderueshme duke ditur vlerën natyrore që bartin këto ekosisteme të rralla të rrobullit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë konfirmohet se situata duket më e qetë, ndonëse kërkohet kujdes i shtuar nga të gjithë vizitorët.
“Sot, situata duket më e qetë edhe pse ende janë aktive disa vatra të vogla zjarri. Andaj, AMMK/DAPK Sharri, bënë thirrje për vigjilence dhe kujdes të shtuar për të gjithë vizitorët që frekuentojnë territorin e PK “Sharri”. Megjithëkëtë, stafi i DAPK Sharri, do të vazhdojë të monitoroj gjendjen me qëllim të shuarjes së vatrave aktive të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tyre”, thuhet në njoftimin e AMMK-së, raporton Telegrafi.
Aty vlerësohet angazhimi i shtuar i stafit të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” përgjatë kësaj periudhe kohore, që sipas AMMK-së ka qenë përtej mundësive reale që mund të ofrojnë rojet e natyrës dhe stafi tjetër i Parkut Kombëtar në këto situata.
“AMMK/DAPK Sharri, po ashtu falënderon të gjitha institucionet dhe vullnetarët që kanë qenë të angazhuar në shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së zjarreve”, përfundon njoftimi i AMMK-së. /Telegrafi/