Kylian Mbappe duke se ka vendosur ta sfidojë Paris Saint-Germainin në të gjitha format, në mënyrë që ta lënë të largohet si i lirë vitin e ardhshëm.
Sulmuesi francez ka zhvilluar së fundmi një intervistë me L’Equipen, duke folur për Ligue 1, PSG-në dhe mundësinë për ta fituar Topin e Artë.
Ai ka lënë të kuptohet se kampionati francez aktualisht nuk është shumë garues dhe se atij nuk i pëlqen vetëm të fitojë ndeshje, por edhe trofe të mëdhenj.
Kështu që tani Mbappe është nën kritika, pasi bëri të ditur tërthorazi se PSG nuk është klubi për të cilin dëshiron të luajë nëse dëshiron të arrijë ëndrrën e tij për të fituar Topin.
Dhe ky sulm ndaj klubi parisien nuk është pritur mirë nga bashkëlojtarët e tij.
Disa lojtarë të PSG-së i kanë dërguar intervistën kryetarit Nasser Al-Khelaifi, duke thënë se komentet e Kylian janë “mosrespektuese” ndaj klubit, raporton Canal+.
Sulmuesit i skadon kontrata në verën e vitit të ardhshëm, ndërsa PSG i ka bërë të ditur se ai nuk mund të largohet si i lirë, por që mund të shitet në këtë verë ose të rinovojë kontratë deri në vitin 2025.
Real Madridi duket se po shpreson që ta marrë atë si të lirë, ndërsa parisienët synojnë të fitojnë 200 milionë euro nga shitja e tij. /Telegrafi/