Kanë mjaftuar vetëm disa paraqitje mbresëlënëse që portieri i skuadrës së Paris Saint Germain, Salvatore Sirigu të kthehet në vendin e titullarit tek kampionët e Francës.
Gardiani i parisienëve falë formës së tij të mirë duket se i ka bindur të gjithë.
Madje, mediat franceze nuk kanë nguruar të thurin elozhe për të. Sezonin e kaluar Sirigu u cilësua si fajtor për eliminim e PSG nga Liga e Kampionëve dhe vendin e tij e mori Trapp, por duket se nuk ishte ai problemi i skuadrës.
Mund të konsiderohet një fitore e Sirigu rikthimi sërish si titullar në formacionin e Laurent Blanc.
Mbështetja e tifozëve nuk i ka munguar në asnjë moment 29-vjeçarit. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur me portierin tjetër Trapp, ku në disa raste ka pasur dhe vërshëllima për shkak të gabimeve të rënda.
25-vjeçari gjerman erdhi me shumë bujë nga Eintracht Frankfurt, duke u cilësuar si Manuel Neuer i ri, por në fakt nuk rezultoi kështu.
Drejtuesit e klubit francez po mendojnë largimin e Trapp dhe në vend të tij të rikthejnë në shtëpi, portierin Areola,i cili është dhënë në formën e huazimit tek skuadra e Villarreal.