Sir Alex Ferguson është sugjeruar që të bëjë një rikthim befasues tek Manchester United teksa presioni mbi super e trajnerit aktual Erik Ten Hag po rritet.
Thashethemet para pauzës së kombëtareve kishin sugjeruar se Ten Hag mund të shkarkohet gjatë kësaj periudhe dy-javore për shkak të një serie prej pesë ndeshjesh pa fitore në të gjitha garat.
Megjithatë, përkundër këtyre zërave holandezi duket se do të mbetet në krye të ‘Djajve të Kuq’, por duhet t’i rikthehet rezultateve pozitive së shpejti.
Gjatë verës Unitedi kontaktoi me një numër trajnerësh për të zëvendësuar Ten Hagun, duke intervistuar kështu emra të njohur si Thomas Tuchel dhe Mauricio Pochettino.
Tuchel dhe ish-përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, janë ende në mesin e favoritëve për të zëvendësuar Ten Hag në rast shkarkimi.
Pasiguria që është krijuar rreth klubit është larg stabilitetit dhe suksesit që Unitedi kishte pasur gjatë kohës kur Ferguson ishte në krye të tyre.
Për këtë arsye, ish-reprezentuesi anglez Paul Gascoigne ka kërkuar që Unitedi ta rikthejë Fergusonin për një sezon nëse ndajnë rrugët me Ten Hag.
“Shikoni Ten Hag, unë ndihem paksa keq për të. Do të doja që Alex Ferguson të rikthehej për vetëm një sezon dhe të shohim se çfarë mund të bëjë ai me këta lojtarë”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, duket krejtësisht e pamundur që Sir Alex të rikthehet në stol sërish pasi e njëjta mundësi ishte konsideruar edhe në vitin 2013 pas shkarkimit të David Moyes, por tekniku skocez kishte refuzuar mundësinë që të ulej sërish në stolin e gjigantit anglez./Telegrafi/