Site icon Telegrafi

Sindroma e syrit të thatë

Dr. Anita Syla Lokaj, Specialiste e Oftalmologjisë

Syri i thatë është një sëmundje shumëfaktoriale e lotëve dhe sipërfaqes së syrit që rezulton në simptoma të diskomfortit, pengesave vizuale dhe tregon jostabilitet të filmit të lotit me mundësi potenciale të dëmtimit të sipërfaqes okulare

Dr. Anita Syla Lokaj
Specialiste e Oftalmologjisë, PhDc
QKUK, Klinika e Syve
Tel: 044756682

Ajo shoqërohet me rritjen e osmolaritetit të filmit të lotit dhe pezmatim të siperfaqës së syrit.

Loti prodhohet në gjëndrën lotuese, derdhet në mollëzën e syrit dhe me lëvizjen e rregullt të kapakëve të syrit, shpërndahet në të gjitha anët duke mbajtur kështu syrin gjithnjë të njomë.

Shtresa prekorneale e lotit është e përbërë nga:

1 – Shtresa lipidike e jashtme, që ka kontakt me ajrin dhe sekretohet nga gjëndrat e Meibomit, të vendosura në brendësi të kapakëve të syve.
2 – Shtresa e mesme ujore, pjesa kryesore që prodhohet nga gjëndrat e lotit.
3 – Shtresa mukotike e brendshme që ka kontakt me epitelin e kornesë.

Shkaqet e sindromës së syve të thatë

Sindroma e syrit të thatë mund të ndodhë kur procesi kompleks i prodhimit të lotëve prishet në një farë mënyre.

Ka shumë arsye të ndryshme pse kjo mund të ndodhë, megjithëse një shkak i vetëm i identifikueshëm shpesh nuk mund të gjendet.

Shkaqet e zakonshme përfshijnë:

∙ mosha dhe faktorët klimatik ku hyjnë, klima e nxehta ose ndryshimet atmosferike me erëra të forta, kondicionerët e ajrit, kimikatet dhe tymi i duhanit
∙ përdorimi i lentave të kontaktit
∙ disa sëmundje të kapakëve të tilla si blefariti (pezmatimi i kapakëve të syve)
∙ infeksionet virale
∙ mungesa e vitaminës A
∙ sëmundja e sheqerit – diabeti, sëmundjet reumatizmale
∙ efektet anësore të ilaçeve të caktuara – përfshirë antihistaminikët, ilaçet kundër depresionit, beta-bllokuesit dhe diuretikët
∙ ndryshimet hormonale te femrat – si gjatë menopauzës, shtatzënisë ose gjatë përdorimit të pilulave kontraceptive

Edhe pse gjendja mund të prekë njerëzit e çdo moshe, shanset tuaja për të zhvilluar sindromën e syve të thatë rriten gjatë moshës së shtyrë.

Mosfunksionimi i gjëndrave të Meibomit (MGD) është një faktor tjetër kontribuues në sindromën e syrit të thatë. Bllokimi i sekretimit të pjesës yndyrore të filmit të lotit nga këto gjëndra ndikon që lotët të avullohen shumë shpejt.

Është vlerësuar se një në çdo tre persona mbi moshën 65 vjeç përjetojnë probleme me sy të thatë. Sindroma e syve të thatë është më e zakonshme tek gratë sesa tek burrat.

Në ShBA tashmë kjo sëmundje është kthyer në një sindromë (Office Eye Syndrome), nga e cila të rrezikuar janë ata që kalojnë orë të tëra para monitorit dhe si pasojë e përqendrimit dhe shikimit të pandërprerë në monitor, lëvizja e kapakëve të syrit bëhet më e rrallë, duke tharë kështu sipërfaqen e syrit.

Simptomat e sindromës së syrit të thatë

Simptomat e sindromës së syve të thatë janë të lehta për shumicën e njerëzve, megjithëse rastet më të rënda mund të jenë të dhimbshme dhe të çojnë në komplikime.

Simptomat zakonisht prekin të dy sytë dhe shpesh përfshijnë:

– ndjenjën e thatësisë, djegies dhe kruarjes së syve që përkeqësohen gjatë ditës
– sytë e skuqur të shoqëruar me ndjenjen e pluhurit në sy dhe ndjeshmëri të rritur ndaj dritës
– ngjitjen e qerpikëve në mëngjes
– pamjen e mjegulluar që fillimisht është e përkohshme dhe zakonisht përmirësohet kur pushoni.

Disa njerëz gjithashtu mund të kenë episode të lotimit të syve, të cilat mund të ndodhin nëse syri përpiqet të lehtësojë acarimin duke prodhuar më shumë lot.

Edhe pse sindroma e syve të thatë mund të jetë e pakëndshme, zakonisht nuk shkakton ndonjë problem serioz. Dy ndërlikimet kryesore që lidhen me sindromën e syve të thatë janë:

Konjuktiviti – pezmatimi i konjunktivës, shtresës transparente e qelizave që mbulon pjesën e bardhë të kokërdhokut dhe sipërfaqet e brendshme të kapakëve të syve; shumica e rasteve janë të lehta dhe nuk kanë nevojë për trajtim specifik.

Pezmatimi i kornesë – në raste të rralla, sindroma e rëndë e syve të thatë mund të dëmtojë sipërfaqen e kornesë (keratiti); ky dëmtim mund ta bëjë kornenë të prekshme ndaj ulcerimit dhe infeksionit, e cila mund të jetë verbuese.

Kontaktoni mjekun tuaj ose vizitoni menjëherë spitalin tuaj më të afërt nëse keni ndonjë nga simptomat e mëposhtme, pasi ato mund të jenë një shenjë e një gjendjeje më serioze:

– ndjeshmëri ekstreme ndaj dritës (fotofobi)
– sy shumë të dhimbshëm ose të skuqur
– një përkeqësim në pamjen tuaj

Diagnostikimi i sindromës së syrit të thatë

Testet dhe procedurat që mund të përdoren për të përcaktuar shkakun e syve tuaj të thatë përfshijnë:

∙ Një ekzaminim i detajuar syve që përfshin një histori të plotë të shëndetit tuaj të përgjithshëm dhe shëndetit tuaj të syve mund të ndihmojë mjekun tuaj të diagnostikojë shkakun e syve tuaj të thatë. Po ashtu ekzaminimi biomikroskopik ku shihet zvogëlimi i meniskusit të lotëve, ngjyrosje e kornesë me flurosceine në disa vende ndihmojnë në diagnostikimin e syrit të thatë

∙ Testet kuantitative që përdoren për të përcaktuar prodhimin e lotëve janë:

– testi i Schirmerit
– testi i shpërndarjes së flurosceines
– testi për përcaktimin osmolaritetit të lotit

Testi i Schirmerit përdoret më shpesh në praktikën e përditshme. Në këtë test shiritat e gjatë 35 mm dhe të gjerë 5 mm vendosen në 1/3 e jashtme të kapakut të poshtëm. Pas pesë minutash, largohen shiritat dhe matet sasia e shiritit të lagur nga lotët tuaj.

Ekzistojnë edhe lloje të testeve tjera, siç janë: ngjyrosja e sipërfaqes okulare, testi i laktoferrines, testi i fijes fenolike, citologjia impresive etj.

Trajtimi për sindromën e syve të thatë

Sindroma e syve të thatë në shumicën e rasteve nuk shkakton probleme të mëdha. Trajtimet janë në dispozicion për të ndihmuar në lehtësimin e simptomave, të cilat përfshijnë:

– pika për lubrifikimin e syve – zëvendësuesit e lotëve -lot artificial
– barna për të zvogëluar çdo inflamacion
– nëse është e nevojshme duhet të merren parasysh edhe intervenimet kirurgjike

Te pacientët me sy të thatë kronik mund të përdoren barnat antiinflamatore dhe agjent mukolitik siç janë: ciklosporina dhe acetilcisteina 5%. Ciklosporina zvogëlon inflamacionin e sipërfaqes së syve dhe shkakton rritjen e prodhimit të lotëve. Pacientët nuk duhet ta përdorin këtë ilaç nëse kanë një infeksion të syrit ose një histori të infeksionit viral herpetik.

Nëse pacientët me sindromë të syrit të thatë kanë edhe sëmundje shoqëruese siç janë blefaritet, mund të duhet të pastrojnë rregullisht zonën e prekur me një tretësirë të holluar të shamponit për fëmijë. Po ashtu mjeku mund të përshkruajë pika antibiotike ose yndyrë për përdorim gjatë natës te këta pacientë. Ndonjëherë, përdoret ndonjë antibiotik oral, siç është tetraciklina ose doksiciklina.

Pikat steroide mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit nëse simptomat mbesin të rënda, edhe pas përdorimit të shpeshtë të lotëve artificial.

Intervenimet kirurgjike

Në kuadër të këtyre intervenimeve, më shpesh realizohen okluzionet apo mbylljet e punktave të lotit (vrimat nga ku lotët shkojnë në kanalin e lotit). Kjo procedurë mundëson qëndrimin më të zgjatur të lotëve natyral dhe artificial në sy.

Okluzioni punktal me gypa silikoni mund të jetë, i përkohshëm, i kthyeshëm dhe i përhershëm.

Nëse sindroma e syve të thatë është shkaktuar nga ndonjë sëmundje tjetër, atëherë duhet të bëhet korrigjimi i sëmundjes bazë për të ndihmuar në lehtësimin e simptomave nga sindroma e syrit të thatë.

Këshilla për ata, që tashmë vuajnë nga sindroma e syrit të thatë:

∙ merrni rregullisht pika për sy (lubrifikante – lot artificiale )
∙ keni parasysh lagështinë e ajrit në vendin e punës ose në dhomë
∙ bëni shëtitje në ajër të pastër
∙ gjatë stinës së verës, përdorni syze të errëta, për të mbrojtur në maksimum kontaktin me rrezet e forta të diellit (rrezet ultraviolet A dhe B)
– largohuni nga pirja e duhanit dhe rrymimi i ajrit, e veçanërisht keni kujdes nga ventilatori në automjet
– gjatë punës me kompjuter bëni pauza të shkurta dhe lëvizni kapakët e syve më shpesh
– kujdes duhet pasur gjatë larjes së syve, e posaçërisht në vënien e makijazhit

/Telegrafi/

Exit mobile version