Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pasi Serbia ka refuzuar kërkesat e ministrave të Kosovës për vizitë në Luginë.
Sinani ka thënë se ndalesa e vizitës së ministrave të Kosovës dëshmon se Lugina është pjesë e kontestit Kosovë – Serbi dhe se duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, transmeton Telegrafi.
“Përveç se Serbia nuk ia lejon shqiptarëve përdorimin zyrtar të simboleve kombëtare dhe një varg të drejtash tjera që i gëzojnë pakicat kudo në botë, sot Beogradi po shpërfaq se i pengon çfarëdo komunikimi dhe ndihme nga Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar Sinani.
Reagimi i plotë:
Përderisa po bënim përgatitjet e fundit organizative për mirëpritjen e vizitës së Ministrave të Republikës së Kosovës:
– z.Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës;
– znj.Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
– z.Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve
– z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Morëm njoftimin se kjo vizitë u refuzua nga autoritetet e Republikës së Serbisë, edhe pse kërkesa nga ana e tyre ishte bërë në përputhje me marrëveshjen në Bruksel.
Ky refuzim dëshmon se Lugina e Preshevës është pjesë e kontestit Kosovë-Serbi dhe se duhet të jetë pjesë e dialogut në Bruksel.
Përveç se Serbia nuk ia lejon shqiptarëve përdorimin zyrtar të simboleve kombëtare dhe një varg të drejtash tjera që i gëzojnë pakicat kudo në botë, sot Beogradi po shpërfaq se i pengon çfarëdo komunikimi dhe ndihme nga Qeveria e Kosovës.
Shpreh falënderimin tim të përzemërt për ministrat Aliu, Nagavci, Murati e Çeku që zgjodhën Festën e Flamurit për të qenë pranë Luginës së Preshevës.
Rasti i sotëm duhet të jetë këmbanë për autoritetet më të larta ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ndaj çështjes së Luginës së Preshevës.
Ndryshe, shteti i Serbisë ua ka refuzuar kërkesat për vizitë në Luginën e Preshevës katër ministrave të Kosovës, Liburn Aliut, Arbërie Nagavcit, Hekuran Muratit dhe Hajrullah Çekut.
Siç ka njoftuar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, Serbia ua ka refuzuar kërkesat pak para nisjes, dhe pa asnjë arsyetim. /Telegrafi/