Takimi Sileksi – Gostivari do të jetë ndeshja hapëse e xhiros së 26-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut.
Kjo përballje do të luhet pasditen e sotme në Kratovë, me Gostivarin që do të kërkojë fitoren e parë pas katër ndeshjeve në kampionat ku regjistron tre barazime dhe një humbje, derisa triumfin e fundit e ka shënuar me 3 mars kundër Brera Strumicës.
Në pesë duelet e fundit ndërmjet dy ekipeve, skuadra shqiptare nuk ka balanc të mirë, pasi Sileksi ka dy fitore dhe tre ndeshje janë mbyllur me barazim.
Takimi ndërmjet Sikeksit dhe Gostivarit luhet sot pasdite, duke nisur nga ora 15:00. Kjo është ndeshja e vetme që zhvillohet sot në kuadër të xhiros së 26-të, teksa pesë takimet tjera janë në program ditën e diel.
Kampionët në fuqi, Struga Trim Lum do të luajnë në kryeqytet kundër Vardarit, të cilët do të kërkojnë të vazhdojnë me fitore në kampionat për të mos lëshuar kreun e renditjes.
Nga ana tjetër ndjekësit më të afërt, Shkupi do të jetë mysafirë i Bregallnicës në Shtip, teksa Shkëndija do të luaj me Makedonija Gjorçe Petrovin në transfertë.
Ekipi i Voska Sport në këtë xhiro pret në Ohër Rabotniçkin, ndërsa në ndeshjen tjetër në program të ditës së diel do të përballen Tikveshin me Brera Strumicën.
Të gjitha këto sfida janë programuar të luhen në termin të njejtë, duke nisur nga ora 15:00. /Telegrafi/