Site icon Telegrafi

“Siguria në komunikacionin rrugor” – policia në Gjilan ligjëron fëmijët për rregullat bazë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka mbajtur një ligjëratë me temën “Siguria në komunikacionin rrugor”, në kuadër të promovimit të sigurisë së fëmijëve në trafik.

Sipas një komunikate për media, qëllimi kryesor i kësaj ligjërate ishte rritja e ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore, duke u ofruar fëmijëve këshilla të vlefshme mbi rregullat themelore të sjelljes në trafik.

“Ligjërata përfshinte këshilla të rëndësishme, si: ecja në trotuar, kalimi i sigurt i rrugës në vendkalimet e shënuara për këmbësorë, njohja dhe respektimi i sinjalizimeve rrugore, roli i semaforëve, shmangia e përdorimit të telefonave dhe pajisjeve elektronike gjatë kalimit të rrugës, si dhe rëndësia e veshjes me rroba të dukshme në mbrëmje apo në kushte me ndriçim të dobët,” thuhet në komunikatë.

Kjo iniciativë nga Policia e Kosovës konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt edukimit të fëmijëve për sigurinë rrugore dhe për nxitjen e përgjegjësisë për mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së të gjithëve në trafik. /Telegrafi/

Exit mobile version