Site icon Telegrafi

Siguria në institucionet arsimore, Komuna e Prizrenit konsulton publikun për strategjinë e re

Komuna e Prizrenit të hënën ka organizuar konsultimin publik me qytetarët për Projekt-Strategjinë për sigurinë në institucionet edukative arsimore. Sipas zyrtarëve komunalë kjo politikë publike synon ofrimin e një mjedisi të sigurt e të shëndetshëm për komunitetin shkollor.

Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj para të pranishmëve në sallën e Kuvendit të Komunës ka theksuar se Strategjia për siguri në shkollat e Komunës së Prizrenit është një plan i përbashkët për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për nxënësit, mësuesit dhe stafin arsimor, dhe se kjo strategji synon të parandalojë rreziqet, t’i minimizojë incidentet dhe të promovojë një kulturë të mirëqenies në shkollë.

“Siguria në shkolla është një komponent thelbësor i cilësisë së sistemit arsimor dhe mirëqenies së përgjithshme të nxënësve dhe stafit. Në Komunën e Prizrenit, një nga qendrat më të mëdha arsimore dhe kulturore të Kosovës, siguria në shkolla ka fituar gjithnjë e më shumë rëndësi, duke marrë parasysh zhvillimet sociale dhe teknologjike, si dhe sfidat e reja që paraqiten në një mjedis dinamik arsimor”, ka thënë ajo, raporton Telegrafi.

Në vijim ka prezantuar komponentët e kësaj strategjie, që përfshijnë Sigurinë fizike, Shëndetin dhe sigurinë mjedisore; Sigurinë kibernetike; Shëndetin mendor dhe sigurinë emocionale; Menaxhimin dhe reagimin ndaj krizave; Sigurinë e transportit; Parandalimin e abuzimit me substancat; Menaxhimin e disiplinës dhe sjelljes; Barazinë dhe gjithëpërfshirjen; dhe Përfshirjen e komunitetit.

Gjatë diskutimit, drejtoresha e shkollës fillore “Lekë Dukagjini”, Vlora Karavidaj ka porpozuar që të shtohet edhe infrastruktura shkollore për siguri për fëmijët me aftësi të kufizuara, përkatësisht qasja fizike në të gjitha ambientet e shkollës për ta.

Punëtori social, Bashkim Rakaj ka propozuar përfshirjen e menaxherit të rastit, pastaj që për ushqimin e nxënësve të krijohen ambientet brenda shkollave, si dhe të parashihen veprime për fuqizimin e punëtorit social dhe të psikologut në shkollë.

Drejtori i shkollës së mesme të lartë të mjekësisë “Luciano Motroni”, Mehdi Krasniqi ka kërkuar shqyrtimin e mobilitetit më të përshtatshëm për nxënësit e zonave rurale, raporton Telegrafi.

Ndërkaq aktivistja e shoqërisë civile nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi, Tringa Kasemi ka kërkuar sqarime lidhur me implikimet buxhetore të kësaj strategjie si dhe kohëzgatjen e zbatimit të saj, bashkë me ofrimin e disa rekomandimeve për sigurinë në shkolla.

Komandanti i Stacionit policor në Prizren, Nexhdet Mrasori ka theksuar se Policia zbaton në vazhdimësi planin për siguri në shkollat e Komunës së Prizrenit dhe se pos patrullimeve, zyrtarët policorë mbajnë edhe ligjërata ndërgjegjësuese me nxënësit për tema të ndryshme. Njëherësh ka ofruar edhe disa rekomandime lidhur me përmbajtjen e strategjisë.

Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj ka theksuar se Projekt-Strategjia do të plotësohet bazuar në rekomandimet e ofruara gjatë konsultimit publik.

Sipas zyrtarëve komunalë ky dokument është në konsultim publik deri me datën 14 mars 2025. /Telegrafi/

 

Exit mobile version