Site icon Telegrafi

Siguria energjitike sfidon sigurinë nacionale

Rrezikimi i sigurisë energjitike në Kosovë nuk është më pyetje, por është fakt. Vonesat në ndërtimin e TC-ve të reja e kane rritur varshmërinë nga energjia e importuar dhe, indirekt, e kanë rritur mundësinë e shfrytëzimit të energjisë si një argument për presion politik dhe ekonomik

 

Shqetësimet lidhur me sigurimin e furnizimit me energji elektrike sa vijnë e rriten, në kohën kur nga grupe të ndryshme interesi, avokohen politika përjashtuese, për zhvillim vetëm të burimeve të ripërtëritshme, e jo edhe të atyre fosile (thëngjillit), duke pretenduar se zhvillimi i mëtutjeshëm i burimeve energjetike fosile është i panevojshëm.
Mungesa e një adrese të domosdoshme për politika energjitike, e ka krijuar ambientin e volitëshm për trafikimin e çështjeve të energjisë jashtë institucioneve që janë të thirrura për politikëbërje. Gjatë trajtimit të çështjeve me interes jetik për qytetaret, është e domosdoshme të bëhet një balancim midis entuziazmit dhe kredibilitetit të raporteve që trajtojnë vetëm aspekte të ngushta, siç është rasti me sektorin e energjisë. Vlerësimi se energjia nga burimet e ripërtëritshme mund ta zëvendësojë në tërësi energjinë nga thëngjilli, duke mos e adresuar çështjen e sigurisë së furnizimit të pandërprerë, është sa joprofesional aq edhe e padobishëm për Kosovën.

Politikat përjashtuese duhet të zëvendësohen me politika integruese, të cilat do të rekomandojne zhvillimin e burimeve energjitike të thëngjillit, që janë të domosdoshme, si dhe të burimeve të ripërtëritshme hidrike dhe atyre të integruara (solare dhe të erës). Kosova, pos thengjillit, nuk ka burime energjitike që mundësojnë prodhim të panderprere (base-load), siç është energjia nga gazi, nafta dhe ajo nukleare. Një qasje e tillë strategjike e përcaktimit të politikave për diversifikimin e burimeve ekzistuese, si dhe atyre të reja, do të mundësonte balancimin e kërkesës për energji edhe gjatë orëve të pikut ditor (mëngjes/mbrëmje) si dhe pikut sezonal (verë/dimër), furnizim më të qëndrueshëm dhe, në të njëjtën kohë, do të plotësonte zotimet e Bashkësisë Evropiane 20/20/20, qe tanimq çdokush i përmendë, por jo shumëkush e di se a mund të udhëhiqet një sistem elektroenergjetik vetëm me energji tëe ripërtëritshme, pa burime rezervë, qe mund të aktivizohen në rast të mungesës së ujit, erës apo diellit.

Politikat energjitike duhet të synojnë, si shtimin e pavarësisë energjitike, ashtu edhe përmbushjen e detyrimeve ndaj proceseve integruese. Edhe pse modeli nacional i tregut të energjisë elektrike duhet të bëhet pjesë e një tregu të përbashkët rajonal, mungesa eventuale e energjisë do të rrezikojë sigurinë nacionale. Prandaj, marrëveshjet rajonale nuk e kufizojnë asnjë vend në rajon që të hartojë politika nacionale të përshtatshme për sigurinë vendore. Kjo çështje duhet të trajtohet edhe si shqetësim politik, për shkak të implikimeve të mundshme në sigurinë nacionale. Kjo çështje duhet të jetë në krye të agjendës politike dhe ekonomike të çdo vendi.

Rrezikimi i sigurisë energjitike në Kosovë, nuk është më pyetje, por është fakt. Ky shqetësim është provokuar nga momenti kur qeveria ka vendosur ta mbyllë TC Kosova A, përkundër vonesave në ndërtimin e termoelektranave të reja, dhe se energjia që duhet të zëvendësohet si dhe kërkesa në rritje për energji (mesatarisht 5% /vite) mendohet të zëvendesohen me import, duke e rritur varshmërinë e Kosovës nga burimet energjitike jovendore. Në veçanti, është shqetësues fakti se rritja e varshmërisë energjitike nga vendet tjera, e rritë edhe mundësinë e shfrytëzimit të energjisë si argument për presion politik dhe ekonomik. Gjatë situatave të krizës, vendet eksportuese të energjisë (si energjisë elektrike, ashtu edhe gazit dhe naftës) i dedikojnë kapacitetet vetëm për konsumin vendor, siç ndodhi ditë më parë me Bullgarinë dhe Serbinë. Ky fakt e bën edhe më të domosdoshëm shfrytëzimin e burimeve vendore që i kemi (thëngjillit). Për më shumë, vendet e rajonit po angazhohen edhe për magazinimin e burimeve energjitike. Nuk janë të rastësishme marrëveshtjet Serbi-Rusi për ndërtimin e rezervuarëve natyrorë të gazit. Kjo bëhet me qellim të fuqizimit të Serbisë si faktor stabilizues e, sipas nevojës, edhe destabilizues. Këtë status do t’i mundësojnë burimet e ndryshme të energjisë dhe infrastruktura për tranzit. Këto investime ruse në Balkan, përkrahen nga Serbia edhe për t’i shpërblyer për qëndrimin kundërshtues ndaj Kosovës. Çështja e magazinimit të burimeve energjitike, në Kosovë ende nuk trajtohet. Në legjislacionin ekzistues, as nafta nuk trajtohet si burim energjitik, e as që janë të definuara rezervat e obliguara minimale të naftës, në pajtim me direktivat e BE-së, por nafta ende trajtohet si komoditet për tregtim.

Siguria energjitike përkufizohet si disponueshmëri e energjisë në çdo kohë dhe në shumë forma, në sasi të mjaftueshme, dhe me çmime të përballueshme.
Duke i marrë parasysh të gjitha studimet e bëra në kohën e fundit e, posaçërisht studimin e fundit të Panelit të Ekspertëve të Bankës Botërore, me rekomandime të bazuara në modelet globale, si dhe shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile, duhet të gjendet një “rrobaqepës“ që do të qepte një model në bazë të masave dhe nevojave specifike të Kosovës.

Të gjithë aktorët dhe faktorët relevantë vendimmarrës për sektorin e energjisë, duhet të bëjnë përpjekje për të rritur sigurinë e furnizimit të vendit me energji, përmes implementimit të një modeli që i njeh specifikat tona.
Çka duhet të bëhet?

1) Të ndërtohet TC Kosova C (sa më shpejtë) para mbylljes së TC Kosova A. Të procedohet me përzgjedhjen e investitorit për ndërtimin e TC-ve të reja, me teknologjinë e “qymyrit të pastër”. Të revidohet kërkesa për ofertim (RFP) për të përcaktuar kriteriume obliguese për “efiçiencë më të madhe të mundshme“, duke e definuar nivelin e pranueshëm të efiçiencës. Në rast të mos-ofrimit të teknologjive me efiçiencë të kënaqshme, të mendohet për planin rezervë, të vazhdohet me procesin e Autorizimit, me investitorë/furnizues që mund të ofrojnë teknologji më të reja të sekuestrimit të dioksidit të karbonit.
2) Të përkrahet zhvillimi i burimeve të energjisë së ripërtëritshme (hidrike, të integruar solare /të erës dhe biomasë). Ministria përgjegjëse për politikat energjitike duhet të bëjë freskimin e caqeve indikative për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme. Duhet të ndërmerren veprime të koordinuara ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat, në zhvillimin e burimeve alternative dhe të ripërtëritshme. Është e domosdoshme të bëhet ngritja e kapaciteteve për thithjen e fondeve të alokuara për burime të ripërtëritshme në kuadër të BE-së.
3) Të mbështeten projektet e gazit. Kosova duhet të përfitojë nga pozita geostrategjike që e ka dhe të shfrytëzojë pjesëmarrjen në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, që mbështetë edhe projektet e gazit, të cilat, krahas furnizimit të vendeve të BE-së, realizojnë gasifikimin e sa më shumë vendeve të Evropës Juglindore, si vende tranzitore apo pikë-nyje, ose përmes opcionit të zhvillimit te rezervareve natyrore te gazit. Kosova duhet te perfaqesohet në forume më ekspertizë të domosdoshme për vlerësimin e opcinoneve që sjellin përfitime politike dhe ekonomike për vendin tonë. Njëri prej opcioneve që sot i ofrohet Kosovës, është projekti i Unazës së Gazit të Komunitetit të Energjisë, që parashikohet të lidhë pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Shtrirja e traseve të gazit, nga ekspertë të ndryshëm është përcjellë me rezerva të mëdha, për shkak të shtrirjes së presionit politik të vendeve eksportuese tek vendet importuese.
4) Përdorimi dhe prodhimi efiçient i energjisë. Duhet të zvogëlohet konsumi joracional sipas targeteve 9% deri ne vitine 2018, të behet izolimi adekuat i objekteve të banimit, sepse ndikon në kursimin e energjisë dhe në reduktimin të emetimit të CO2. Në Kosovë kërkesa për energji është në rritje. Për më tepër, rritja e furnizimit me energji është e kushtueshme dhe kërkon mjaft investime. Duhet t’i ofrohet mbështetje Korporatës Elektroenergjitike për reduktimin e humbjeve në rrjet dhe në furnizim. Gjithashtu, duhet të ngritet efiçienca e shfrytëzimit të burimeve energjitike në nivelin që lejon teknologjija e blloqeve ekzistuese. Blloqet me teknologji joefiçiente duhet të mbyllen.
5) Rezervat shtetrore të burimeve energjitike(COS).- Të trajtohet nafta si burim energjetik dhe të percaktohen dhe mirëmbahen stoqet minimale të obliguara të naftës, që garantojnë siguri të furnizimit për sektorin e energjisë (për elektrana, ngrohje qendrore, për konsumatorë). Këto stoqe mund të përdoren në rast të krizave për furnizim, të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, kushtet atmosferike dhe situatat e paparashikuara, që rrezikojnë furnizimin e rregullt me naftë.

Të rivlerësohen rreziqet e mundshme që rezultojnë nga pasiguria energjitike si dhe të krijohet një plan veprimi që do të mund t’i ulë këto rreziqe dhe të propozohen zgjidhje që do të lehtësojne furnizimin e pandërprerë pas mbylljes së Kosovës A dhe para fillimit të punës së TC-ve të reja. Të adresohet rritja e varshmërisë nga energjia e importuar. Sigurimi i furnizimit të pandërprerë është i domodsdoshëm, sepse ka impakt direkt në ekonomi dhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Kërkohet një rritje e ndërgjegjësimit për çështjen e sigurisë energjitike. Duhet të pranojmë edhe njëherë se mungesa e energjisë zvogëlon konkurueshmërinë e prodhimeve tona, kështu që çdo euro e investuar në energji, do të rrisë stabilitetin tonë makroekonomik, dhe do të përmirësonte pozicionin e Kosovës në rajon.
Energjia përbën një çështje kryesore për politikën kosovare. Dimensioni i energjisë duhet të jetë pjesë e agjendës së Ministrise së Punëve të Jashtme, të Ministrisë së Integrimeve Evropiane si dhe të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor. Kërkohet një angazhim dhe vendosmëri e politikëbërësve për një debat të gjerë mbi gjetjen e modelit më të mirë për adresimin sa më urgjent të sfidave të sigurisë energjitike për afatin 2012-2017, mbështetur në rivlerësimet e studimeve të bëra dhe njohjen e vonesave të shkaktuara në ndërtimin e elektranave të reja.
Energjia më e shtrenjtë është ajo që nuk prodhohet dhe centralet më të shtrenjta të energjisë janë ato që nuk ndërtohen.


(Autorja është eksperte për çështjet e energjisë në AAK. Ky dokument rekomandimesh është përgatitur për konferencën, ku paneli i ekspertëve të Banëkës Boterore e ka bërë prezentimin e arsyeshmërisë së ndërtimit të elektranave me thëngjill, si opcioni më i lirë)

Exit mobile version