Site icon Telegrafi

Si të përmirësohet edukimi seksual dhe fëmijët të mos ndjejnë turp gjatë ligjëratës?

Hulumtimi i ri i publikuar në revistën BMJ Open e konfirmon atë që veçse e keni ditur rreth edukimit seksual

Më hollësisht, ky edukim është i padobishëm dhe ligjërohet nga mësuesit e turpshëm pa prapavijë edukative për këtë gjë, thonë hulumtuesit që kishin marrë parasysh 55 studime rreth edukimit seksual të kryer në 10 shtete përgjatë 25 viteve, transmeton Telegrafi.

Guttmacher Institute raporton se vetëm në 24 shtete të SHBA-vë, kjo është lëndë e obligueshme, përderisa 13 shtete kërkojnë që edukimi seksual të jetë i saktë në aspektin mjekësor.

Sidoqoftë, hulumtuesit kanë zbuluar se përvojat e studentëve me edukimin seksual në SHBA, Britani, Irlandë, Australi, Zelandë të Re, Kanada, Japoni, Iran, Brazil dhe Suedi janë thuajse krejtësisht të njëjta dhe tejet të këqija.

Sipas të anketuarve, edukimi seksual e injoron kënaqësinë, dëshirën, komunikimin dhe e trajton seksin më shumë si një faktor të rrezikshëm për shtatzëni të padëshirueshme dhe sëmundje seksualisht të transmetueshme. Në klasë, seksi bëhet një koncept abstrakt në vend të një gjëje që shumë studentë janë duke e bërë.

Dhe këtu shtrihet një problem tjetër: Çdo person është i turpshëm të flasë rreth kësaj çështje, përfshirë edhe mësuesit. Meshkujt e rinj kishin raportuar se ndjehen të brengosur se shokët apo shoqet do t’i gjykonin ata nëse nuk kanë përvoja seksuale, ndërsa vajzat e reja kishin raportuar se brengoseshin nëse shokët/shoqet do t’i gjykonin nëse kishin pasur përvoja seksuale.

Sa i përket mësuesve, shumica e tyre as nuk kishin dashur të jenë aty.

Studentët gjithashtu kishin raportuar se edukimi seksual ka ndikuar në raportin mësues-nxënës sa i përket kontekstit të lëndëve që i japin ata.

Por, për gjithë këtë problem ka një zgjidhje. Pasi që edukimi seksual është lëndë e veçantë me sfida unike,  kërkon për instruktorë apo ligjërues të cilët janë të trajnuar dhe të përqendruar enkas për edukimin seksual, e jo mësues të zakonshëm që rastësisht e kanë obligim ta mësojnë këtë lëndë në klasat e tyre.

Shkollat duhet ta kuptojnë se është shumë më e çuditshme të pyetet mësuesja e historisë rreth menstruacioneve sesa ta pyetni një mësues të dedikuar për edukim seksual.

Specialistët e edukimit seksual jo vetëm që do t’i shpëtonin fëmijët dhe adoleshentët nga tërë ajo turpshmëri që e ndjejnë, por edhe do t’i ndihmonin shumë më lehtë ta kuptonin seksin siç është: i kënaqshëm dhe i rrezikshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version