Telegrafi

Si të kujdesemi për stomën

Prof.Dr. Ugur Gozalan
Shef i Kirurgjisë së Përgjithshme
Spitali Amerikan Prishtinë
Hajvali, km 7, Prishtinë
tel: 038 221 661 dhe 045 500 910

Çfarë është stoma?
Ostomi është emri i ndërhyrjeve kirurgjikale që bëhen me qëllim krijimin e një anastomoze, hapjeje.
Stoma e zorrës është një hapje që mundëson lidhjen e zorrës me pjesën e jashtme të barkut.
Ka dy tipe stomash: të përkohshme dhe të përhershme. Stomat e përkohshme mbyllën pasi zgjidhet gjendja nga e cila ka lindur paraprakisht nevoja për hapjen e stomës (minimalisht 6-8 javë), kurse stomat e përhershme përdoren për gjatë gjithë jetës.

Në kushtet normale stoma është e lagësht, me ngjyrë rozë në të kuqe dhe e dalë përjashta. Nuk është e dhimbshme në prekje. Rreth stomës nuk ka muskuj të cilët mund të kontrollojnë jashtëqitjen, siç ndodh në anus. Për këtë arsye jashtëqitja nga stoma nuk mund të vetëkontrollohet, prandaj është i nevojshëm përdorimi i qeses/xhepit të ostomisë. Në ditët e para pas operacionit mund të ketë pak gjakderdhje dhe stoma është e ënjtur, më pas ajo zvogëlohet dhe vjen në nivelin e lëkurës së barkut. Procesi i zvogëlimit dhe normalizimit të stomës zgjat rreth 1,5-2 muaj.

Ka dy tipe të stomave të zorrëve:
Kolostomi
Ileostomi

Kolostomia: është ndërhyrja kirurgjikale nëpërmjet të cilës mundësohet lidhja (anastomoza) e zorrës së trashë me lëkurën e barkut. Kolostoma zakonisht hapet në pjesën e poshtme majtas të barkut dhe fillon të funksionoj në ditën e tretë ose të pestë pas operacionit. Fillimisht në qesen e kolostomisë vijnë gazrat, më pas jashtëqitja. Kjo tregon se gjithçka po shkon ashtu siç duhet. Meqenëse në zorrën e trashë prodhohen shumë gazra, për kolostomitë preferohet përdorimi i qeseve me filtër.
Sa më larg nga anusi që të jetë hapur stoma, aq më e lëngshme është jashtëqitja që vjen nga ajo. Jashtëqitja që vjen nga stomat e vendosura në pjesën e majtë të zorrës së trashë është e ngurtë, ndërsa jashtëqitja që vjen nga stomat e vendosura në pjesën e djathtë të zorrës së trashë është më e lëngshme.Ileostomia: është ndërhyrja kirurgjikale nëpërmjet të cilës mundësohet lidhja (anastomoza) e pjesës së fundit të zorrës të hollë (ileumit) me lëkurën e barkut. Për shkak të disa sëmundjeve të zorrës së trashë lind nevoja që jashtëqitja të mundësohet nga pjesa e fundit e zorrës të hollë (ileumit). Në këto raste bëhet ileostomia.

Jashtëqitja që vjen nga ileostoma, për shkak se nuk kalon në zorrën e trashë, është më e lëngshme, në sasi më të madhe dhe me veti djegëse për shkak të aciditetit. Në ditët e para sasia prej 1-2 litrash e jashtëqitjes që vjen nga ileostoma shkakton humbje të ujit dhe kriperave nga organizmi kështu që në këtë periudhë humbja e lëngjeve duhet zëvendësuar. Pas disa muajsh, nëpërmjet një skeme të mirë dietike, sasia e jashtëqitjes që vjen nga ileostoma ulet deri në 500-800 mL. Meqenëse sasia e jashtëqitjes që vjen në ileostoma është e madhe, për të mënjanuar ndërrimin e shpeshtë të qeses, përdorën qese të cilat mund të zbrazën nga poshtë.

Jashtëqitja që vjen nga ileostoma ka përmbajtje dhe sasi të ndryshme nga ajo e kolostomes. Prandaj dieta e përshtatshme ka një rëndësi të veçantë.

Pas operacionit të ostomisë në trupin tuaj ndodh një ndryshim, i cili ndikon si anën tuaj psikologjike ashtu edhe atë sociale. Ky ndryshim mund të ndikojë në pamjen tuaj fizike, jetën dhe aktivitetin tuaj social, mënyrën e të ushqyerit, marrëdhëniet tuaja familjare, punën dhe jetën tuaj seksuale.

Nëpërmjet trajnimit për mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj stomës nga ana e stafit mjekësor, ju fitoni aftësitë për të vazhduar normalisht jetën tuaj.

Një ndër pikat më të rëndësishme në mirëmbajtjen e stomës është përkujdesja për lëkurën rreth saj. Në mënyrë që të parandaloni problemet me lëkurën:
▪ Pastroni lëkurën rreth stomës me një copë të butë/pambuk të njomur me ujë të vakët ose me peceta të lagura.
▪ Nëse lëkura është ndotur me jashtëqitje, pastrojeni atë me një sapun me pH të përshtatshëm për lëkurën.
▪ Për të parandaluar dëmtimin e lëkurës, pasi ta keni larë atë, shpërlajeni dhe thajeni mirë para se të vendosni qesen.
▪ Rekomandohet përdorimi i qeseve me dy pjesë (këto qese kanë një adaptor i cili ngjitet në lëkurë dhe nuk është e nevojshme që të ndërrohet sa herë që ndërrohet qesja, në këtë mënyrë mënjanohet kontakti i lëkurës me jashtëqitjen).
▪ Zbrazeni qesen kur 1/3 e saj të jetë mbushur (në mënyrë që të mos ketë rrjedhje).
▪ Në ditët e sotme prodhohen lloje të ndryshme pecetash për pastrim, losionesh, kremrash, pudrash, losione kundër erës së keqe dhe mbulesa për plagën, të cilat e lehtësojnë dhe rrisin cilësinë e jetesës së personave me ileostomi dhe kolostomi.Personat me ileostomi dhe kolostomi duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë ushqyerjes, për këtë arsye dieta e tyre duhet të përcaktohet dhe mbahet nën kontroll nga mjeku dhe dieticienti. Nëse përballeni me problemet e mëposhtme për shkak të ushqyerjes, duhet të kontaktoni mjekun tuaj:

Probleme për shkak të ndryshimit të madhësisë së stomës
▪ Bllokim
▪ Diare
▪ Konstipacion (kapsllëk)
▪ Erë e keqe
▪ Gazra
▪ Ndryshim i ngjyrës së jashtëqitjes

Ushqimet problematike

Ushqimet që shtojnë gazrat – Bizelja, lulelakra, lakra, brokoli, misri, qiqrat, fasulja, preshi, qepa, veza, qumështi dhe nënproduktet e tij, djathi me erë të rëndë, rrepka, pjepri, turshitë, limonada, birra, pijet me gaz, bishtajoret
Ushqimet që shtojnë erën e keqe – Peshku, veza, qepa, hudhra, perimet e gjelbra, djathi, bishtajoret, lakra, lule lakra, brokoli, ushqimet me erëza
Ushqimet që e bëjnë më të ngurtë jashtëqitjen – Molla, patatet, banania, pjeshka, kosi, llapë orizi, djathi, pure patatesh, karota
Ushqimet që e bëjnë më të lëngshme jashtëqitjen – sheqeri dhe ushqimet e ëmbla, ushqimet e skuqura, lëngu i yndyrshëm i mishit, djathi i yndyrshëm, salcat e yndyrshme, bishtajoret, lëngjet e frutave, pijet alkoolike, qumështi, ushqimet me erëza, frutat e thata, perimet e pagatuara.
Ushqimet e vështira për t’u tretur – misri, kërpudhat, lajthitë, arrat, rrushi i thatë, arrë kokosi, frutat e thata, perimet e pagatuara, lëkura e mollës dhe portokallit, farat e frutave, pastërma, suxhuku, sallami.

1,5-2 muaj pas operacionit mund të filloni ushtrimin e sporteve të lehta si ecje, not, ping-pong. Para se të filloni ushtrimet dhe veçanërisht para se të notoni kujdesuni që të zbrazni qesen e stomës. Shmangni ushtrimin e sporteve që mundojnë muskujt e barkut si ngritje peshave, boks, mundje etj.

1,5-2 muaj pas operacionit, pasi të jeni konsultuar edhe me mjekun tuaj mund t’i ktheheni punës (shmangni punët e rënda fizike).

Mund të bëni banjë/dush me ujë të vakët në këmbë ose ulur. Nuk duhet përdorur uji i nxehtë për shkak se mund të dëmtojë vetinë ngjitëse të qeses. Qesja e ileostomës duhet të jetë e vendosur kur bëni banjë/dush, ndërsa nëse keni kolostomi nuk është e rëndësishme nëse e mbani apo jo qesen gjatë dushit.

Stoma nuk ju pengon që të udhëtoni për sa kohë që ju vazhdoni të kujdeseni për të.

Pas operacionit, është e rëndësishme që të diskutoni me partnerin tuaj për këtë situatë të re.
Ostomia nuk është një pengesë në kryerjen e marrëdhënieve seksuale. Nuk ka asgjë që nuk zgjidhet me dashuri dhe mirëkuptim reciprok.

Shtatzënia është e drejta biologjike e çdo gruaje. Ju mund të mbeteni shtatzënë pavarësisht nga stoma. Në periudhën e parë të shtatzënisë nuk do të përjetoni probleme, por me rritjen e barkut mund të rritet edhe madhësia e stomës ose mund ta keni të vështirë ta shihni stomën. Në këtë periudhë me ndihmën e dikujt tjetër ose nëpërmjet një pasqyre mund të vazhdoni të kujdeseni për stomën. Pas lindjes mund ta ushqeni me gji foshnjën tuaj. E vetmja gjë që duhet të keni kujdes para se të filloni ushqimin me gji të foshnjës është zbrazja e qeses nëse ajo është e mbushur, sepse pesha e foshnjës mbi qesen ushtron presion dhe mund të shkaktojë rrjedhje dhe më pas problem me lëkurën.

Problemet gjatë përdorimit të stomës
▪ Problemet e lëkurës
▪ Ishemi dhe nekrozë e stomës (ndryshim i ngjyrës së stomës)
▪ Retraksion i stomës (tërheqja brenda e stomës)
▪ Problemet metabolike.
▪ Gjakderdhje
▪ Infeksionet në zonën rreth stomës
▪ Prolapsus i stomës (varje)
▪ Stenoza e stomës (ngushtimi)
▪ Bllokimi i zorrës
▪ Fistula e stomës
▪ Hernie parastomale (rreth zonës së stomës)

Nëse përballeni me ndonjë nga problemet e mësipërme duhet të kontaktoni me mjekun tuaj. /Telegrafi/