Ekziston një matematikë e thjeshtë përmes së cilës një njeri mundet lehtë ta përcjell peshën trupore nëse rritet gjegjësisht zvogëlohet në bazë të numrit të kalorive ditore të marra dhe harxhuara.
P.sh. nëse i merrni 2500 kalori gjatë ditës me ushqim dhe i harxhoni vetëm 1000 kalori në ditë, kjo nënkupton se ju do të trasheni për 1500 kalori në ditë. Kaloritë merren vetëm përmes ushqimit, kurse harxhohen përmes shumë mënyrave të ndryshme: aktiviteti fizik, ruajtja konstante e temperaturës trupore, funksionimi i organeve etj.
Te moshat e reja metabolizmi është më i shpejtë, ku kjo nënkupton se sado që të konsumohet ajo edhe harxhohet. Me kalimin e viteve metabolizmi ndërron (ngadalësohet) tek shumica e njerëzve dhe me këtë rriten prirjet për deponimin e indeve dhjamore-trashja.
Ç’është dieta?
Shumica e konceptojnë dietën si një regjim 1-mollësh në ditë, respektivisht gjer në ato përmasa ku dëmtohet trupi. Dieta është një kontroll i ushqimit! Normalisht se secili njeri duhet të mbaj dietë gjatë tërë jetës, por në asnjë mënyrë për ta shkatërruar veten. Gabimet më të mëdha te dietat ndodhin zakonisht kur synohet një humbje e madhe peshe brenda një harku shumë të shkurtër kohor (para dasmave, shkuarjeve në bregdet etj.)…
Si reagon trupi gjatë këtyre dietave?
Trupi i njeriut është një ushtri që funksionon shumë mirë. Truri është ai i cili i bashkërendon funskionet e organizmit me, ose pa vetëdijen tonë! Që të funksionojë, trupit të njeriut i duhet energji sikurse edhe secilit aktivitet tjetër natyror që i duhet energji për tu manifestuar. Energjia e cila konsumohet (ushqimi) dhe nuk shfrytëzohet, deponohet, dhe ai deponim quhet DHJAMI i trupit.
Pra, për tu sforcuar trupi kërkon energji; më së pari e shfrytëzon rrugën e shkurtë për të ardhur deri te ajo energji – prej lukthit (ushqimin e konsumuar gjatë ditës); kur harxhohen këto resurse, lukthi dërgon një tjetër sinjal në tru dhe truri alarmon se trupit i duhet energji (truri thotë: – “ha bukë se i dhashë fund”-). Nëse edhe pas kësaj nuk i japim trupit ushqim, ai fillon të mobilizohet dhe shfrytëzon energjinë duke kursyer. Prioritet në këtë situatë kanë organet vitale që duhet doemos të funksionojnë!
Si rrjedhojë, në gjendje urie mungon koncentrimi. Kjo ndodh sepse truri në këto rrethana bashkërendon ndryshe energjinë dhe e çon aty ku është më e domosdoshme. Pra, trurin e len pak keq per t’i dhënë përparësi kështu organeve tjera më jetike. Nëse dieta zgjat më shumë, atëherë truri mobilizohet dhe e ndërron metabolizmin.
Truri kupton se trupi nuk ka energji të mjaftueshme dhe fillon ta kursej energjinë maksimalisht. Nëse p.sh. organizmi gjatë një ditë ka harxhuar zakonisht 1000 kalori, dhe gjatë dietave harxhon 500, apo më pak kalori…ai do të deponoj kalori edhe shumë më shumë sesa para regjimit ushqimor.
Por, nëse vazhdojmë të mbajmë dietë (ta kontrollojmë ushqimin duke i dhën më pak kalori në krahasim me energjinë e harxhuar gjatë ditës), ku kësaj ja shtojmë aktivitetin fizik (sportin), atëherë në fillim do ta vëreni se trupi moliset sepse merr edhe më tutje energji nga lukthi. Mirëpo, lukthin në anën tjetër ne nuk jemi duke e furnizuar me ushqim. Për këtë arsye fillimi i dietës përcillet gjithnjë me molisje.
Pas një periudhe të shkurtë trupi kupton se nuk ka shpresa që të furnizohet edhe më tej nga burimi i vjetër (lukthi) me energji, andaj fillon të konsumoj nga deponitë e krijuara më herët…pra, nis ta konsumoj DHJAMIN!. Kështu fillon procesi i dobësimit!
Shumica kanë përshtypjen se djersa është produkt i dhjamit, por gabohen këtu! Djersa është thjeshtë lëng trupor me përmbajtje kripërash dhe mineralesh që dalin jashtë për ta ruajtur temperaturën konstante te trupit (duke e ftohur atë). Sikurse që rrjedh uji gjatë ftohjes nga pajisja klimatike, të njëjtin parim funksionimi e ka edhe organizmi i njeriut.
Së këndejmi, mos e detyroni veten nën veshjen e trashë gjatë ushtrimeve, gjegjësisht të mbështilleni me qese plastike sepse vetëm sa dehidroheni – humbni pa nevojë kripëra dhe minerale.
Po ashtu është praktikë e gabueshme që shpeshherë njerëzit pas ushtrimeve maten mbi peshore dhe pretendojnë t’i kenë humbur 2kg. Në rastin tonë, aty nuk bëhet fjalë për 2kg dhjam, por 2 kg lëngje trupore me kripëra të cilat ashtu kështu kompenzohen brenda dy orëve. Këtu edhe qëndron arsyeja e të eturit pas sportit, sepse uji përmban shumë kripëra dhe minerale të nevojshme për organizmin tonë.
Kthehemi sërish tek funksionimi i organizmit gjatë dietave. Pas një periudhe dietash dhe ushtrimesh njeriu vjen deri te pesha ideale. Në këtë fazë është rrezik të lihen ushtrimet dhe dieta. Me fjalë tjera, dieta guxon të pësoj pak ndryshime për të ju përshtatur gjendjes së re trupore, por assesi të ndërpritet tërësisht. Truri gjatë regjimit ushqimor i ka dhënë urdhër trupit që ta ruaj maksimalisht çka do (ushqimin) që të hyn në trupin tonë.
Nëse ne do ta ndërpresim dietën, atëherë trupi do të ruaj energji (dhjam) shumë më shumë sesa që e ka bërë atë para dietës në fjalë. Po ashtu edhe metabolizmi është i ngadalësuar, sepse dieta e ka dirigjuar trurin ta ngadalësoj metabolizmin si kusht i domosdoshëm mbijetese. Kjo njihet edhe me termin JOJO EFEKT. Nëse në këtë fazë nuk i kushtoni vëmendje kontrolli të ushqimit, atëherë rrezikoni të shtoni peshë shumë më shumë sesa para fillimit të dietës!
Humbja e kilogramëve nuk është e rëndë sa edhe ruajtja e asaj gjendjeje! Para se të filloni më një dietë, regjistroni në një fletore saktësisht gjatë tërë ditës së çka jeni duke ngrëne, madje edhe nëse ajo nënkupton çamçakëza, apo fara luledielli. Pastaj hulumtoni në internet vlerat kalorike që korrespondojnë për secilin ushqim të marrë, ku me nje operacion matematikor mbledhjesh e shihni se sa kalori keni konsumuar atë ditë.
Mos harroni se buka e zezë dhe ajo e bardhë përmbajnë numër të njëjtë kalorish! i vetmi dallim mes këtyre dyjave është se e zeza është me e lehtë për lukth për tu përballuar, megjithatë te dyja trashin trupin njëjtë.
Njëkështu, nuk ka ndonjë dallim midis verës së bardhë dhe asaj të zezë. Mos të ju mashtrojë ngjyra, sepse ato kanë kalori të njëjtë në fund të fundit! Në numrat vijues do të ju ilustrojmë shembuj më konkret të dietave, dhe rrjedhimisht edhe sugjerimet për aktivitetet sportive se si të ushtrohet. /Telegrafi/