Telegrafi

Si të arrini t’i bëni 100 kilometra me biçikletë

Kur kushtet klimatike janë të përshtatshme për të pedaluar biçikletën, kjo ju tërheq çdo ditë e më shumë që të bëni distanca të gjata dhe mendjen e keni si të arrini t’i bëni 100 kilometrat e parë. Por, a e dini se çka duhet të bëni dhe çka është e nevojshme për një hap të tillë?

S’ka rëndësi nëse jeni fillestar apo nëse keni përvojë, 100 km e para me biçikletë nuk paraqesin diçka të vështirë apo të parealizueshme. Sidoqoftë deri te 100 km i parë mund të arrini edhe pa ushtrime, pajisje apo përgatitje serioze, por nëse doni që kjo përvojë të jetë e këndshme dhe që kjo t’ju mbetet një kujtim i mirë, atëherë duhet që t’u përmbaheni disa rregullave themelore të cilat do t’ju ndihmojnë të arrini qëllimin tuaj.

Pajisjet obligative dhe kontrollimi i tyre
Para çdo rute biçikletën tuaj duhet ta dërgoni në servis apo të përpiqeni vet ta rregulloni të njëjtën. Çdo pjesë e biçikletës duhet të funksionoj në mënyrën e duhur për të mos ardhur deri te ndonjë defekt i paparashikuar: këputja e kabllove, zinxhiri i lëshuar, koordinimi i marsheve jo adekuat, goma shumë të harxhuara etj.
Sa i përket pajisjes, minimumin që duhet ta posedoni janë helanket me pjesën e pasme mbrojtëse dhe kuptohet helmetën. Gjithçka tjetër që duhet të posedoni varet na kushtet kohore. Helanket do tju ndihmojnë nga fërkimi i tepërt dhe nga ngërçi, kurse helmeta ndonjëherë paraqet shpëtim jete nëse vjen deri te ndonjë aksident më serioz.
Tjetër çfarë duhet të posedoni është një vegël e punës e cili do t’ju ndihmojë për intervenime të vogla, pompa dhe kuptohet një gomë rezervë. Organizimi i rutës është një plan i cili duhet hollësisht të analizohet, por do të ishte mirë të posedoni edhe një GPS paisje.

Ushqimi dhe hidratimi
Nëse jeni fillestar, ju duhet të llogaritni sasinë e domosdoshme të shqimit e cila nevojitet për një rutë prej 100 km. Për këtë arsye startoni me një mëngjes të lehtë, kurse me vete merrni banane, xhel energjetik ( apo pemë të thata ), ujë dhe izotonik. Ndoshta në shikim të parë duket një sasi e madhe ushqimi, por duhet ta dini se në shumicën e rasteve pjesa dërmuese heqin dorë nga rutat jo se nuk kanë përgatitje fizike por në mungesë të energjisë ( ushqimit).

Ushtrime
Realizimi i rutës prej 100 km është diçka që duhet të paraqes një argëtim apo aventurë. Gjithsesi, mos harroni se për një arritje të tillë juve ju duhet një plan ushtrimesh i cili gradualisht përmirësohet. Zakonisht koha e nevojshme për të bërë një rutë të tillë është prej 8 deri 12 javë. Filloni me 3 -4 ruta javore që do të zgjasin minimum 1 orë kurse njëra nga ato të jetë distancë më e gjatë kohore.
Gradualisht rritni distancën që të shmangni lëndimet e mundshme. Organizoni seancat e juaja stërvitore ashtu që të kenë karakteristika të ngjajshme me rutën e planifikuar. Nëse ruta përmban ngjitje, atëherë të paktën një prej trajnimeve duhet të organizohet për ngjitje malore.

Mos harroni të kënaqeni gjatë gjithë rutës dhe krijoni kujtime të cilat nuk harrohen.