Të gjithë e dimë se çfarë janë fjalosjet – ato ndodhin çdo ditë.
Qoftë nëse jeni të zemëruar me partnerin, të bezdisur nga kolegu apo thjeshtë nuk pranoni që vetëm ju ta pastroni shtëpinë e shoku juaj i dhomës jo, ndonjëherë thjesht nuk ka mundësi ta shmangni ballafaqimin.
Dhe, pavarësisht se shpeshherë këto ballafaqime mund të shpijnë deri te ndarja me partnerin, prishja me shokun e dhomës, etj., ndonjëherë fjalosjet mund të kthehen edhe në diskutime produktive të cilat mund t’ju ndihmojnë të gjeni zgjidhje pozitive.
Prandaj, Telegrafi ju sjellë më poshtë disa këshilla se si të silleni gjatë një fjalosjeje, në mënyrë që “britmat” e një debati t’i shndërroni në diskutime të qeta:
Mendoni mirë para se të flisni diçka
Një nga gabimet më të zakonshme që njerëzit i bëjnë gjatë fjalosjeve është se fillojnë të bërtasin çfarëdo që u vjen ndërmend, por që më vonë i bien pishman për fjalët e tyre.
Ju mund ta ndjeni nevojën për ta quajtur dikë “budalla” apo “dembel” gjatë një momenti të nxehtë, por mos harroni se këto dy fjalë mund t’i prishin krejtësisht marrëdhëniet mes juve dyve.
Prandaj, për të pasur një diskutim sa më produktiv, përpiquni të mendoni para se të flisni.
Mos e fajësoni askënd
Në momentin që i thoni dikujt se ka bërë diçka gabim, ai/ajo do të fillojë ta mbrojë veten.
Duke implikuar se dikush ka bërë diçka të gabuar, ju thjesht mund ta nxehni më shumë diskutimin apo t’i ofendoni njerëzit, dhe kështu do të rezultoni edhe në prishje.
Përdorni humorin
Qeshja mund ta bëjë një rrethanë të duket shumë më pak e tendosur. Ju mund të imagjinoni situata budallaqe për ta ndrequr disponimin e të dyve, apo ta thoni ndonjë shaka për ta thyer akullin.
Shmangni përdorimin e sarkazmës apo ironisë, se pse këto dyja mund të shpijnë në zemërim më të lartë. /Telegrafi/