Daniele De Rossi ka marrë për herë të parë drejtimin e skuadrës së Romës, skuadër ku ai kaloi gjithë karrierën si futbollist përveç gjashtë muajve të fundit që luajti për Boca Junior.
Roma vendosi ta shkarkojë Jose Mourinhon dhe i ka besuar stolin legjendës së klubit me një kontratë gjashtë mujore.
Ish-kapiteni legjendar i Romës ka mbajtur mbrëmë stërvitjen e parë si trajner i Giallorosëve.
Mediumet e mëdha italiane, kryesisht edhe ato që janë pranë Romës kanë raportuar për ndryshimet që pritet t’i bëj De Rossi te loja e skuadrës së tij.
De Rossi ka aplikuar një lojë më të shpejtë në stërvitje, derisa ka kërkuar nga lojtarët e tij të bëjnë pasime më të shpejta.
I vetëdijshëm se situata nuk është aspak e mirë në klub, De Rossi ka vendosur që ditën e tij të parë të flej në qendrën stërvitore të Romës, Trigoria së bashku me stafin e tij.
Ai ka vendosur ta bëj këtë gjë në mënyrë që t’ia filloj menjëherë punës pasi nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të punojnë shumë për ta rikthyer Romën te fitoret. /Telegrafi/