Telegrafi

SI PRANVERA

Poezi nga: Juana de Ibarbourou
Përktheu: Bajram Karabolli

Si një krah i zi flokët e mi
mbi gjunjët e tu i kam hedhur.
Ti symbyllur aromën e tyre thith
dhe më thua:
Po fle mbi gurë mbuluar me myshk?
Me kulpër pylli i ke pleksur gërshetat?
Prej tërfili është nënkresa jote?
Mos vallë u ke shtrydhur gështenja
apo lëng manaferrash të pjekura
që i ke korb të zeza?
Me ç’aromë të freskët dhe të çuditshme je mbështjell!
Aromë rrekesh, ugaresh dhe pyjesh.
Ç’parfum përdor vallë?!
Unë qesh dhe të them:
Asnjë lloj, asnjë, zemra ime!
Erë pranvere mbaj, se vashë e re jam.
Aroma që ndjen është prej trupi të njomë,
prej faqesh të freskëta dhe gjaku të ri.
Jam e re, me ty kam rënë në dashuri
prandaj mbaj aromë pranvere.