Ne jetojmë gjithnjë e më shpejt dhe më me stres. Nëse jetës së këtillë i shtojmë telefona, laptopë dhe një grumbull informacionesh që na vijnë nëpërmjet tyre, do ta kuptojmë se ankthi është një përgjigje normale e organizmit
Megjithatë ankthi nuk është një fenomen modern. Gjithmonë ka qenë reagimi i trupit ndaj ndjenjës së rrezikut dhe stresit në rritje. Zgjidhjen se si të merremi me këtë ndjenjë na e japin stoikët, transmeton Telegrafi.
Stoicizmi
Stoicizmi është drejtim i filozofisë antike. Themelues ishte Zenon, ndërsa përfaqësuesit e tjerë ishin Seneca, Epictetus, Marcus Aurelius. Ata promovuan një mënyrë jetese që nuk vërtetohet me fjalë, por me vepra. Ndryshoni gjërat që mund të kontrolloni.
“Bëni më të mirën e asaj që keni kontroll, dhe pranoni pjesën tjetër siç vjen” – Epictetus.
Nëse kjo tingëllon e njohur për ju, është për shkak se stoikët kanë frymëzuar terapi moderne bihejviorale që na mëson të mos shqetësohemi për atë që nuk është në fuqinë tonë.
Zakonet e mira, jeta e mirë
“Përparimi nuk bëhet me fatkeqësi ose rastësisht, por nga puna e përditshme mbi veten”. – Epictetus.
Shumica e njerëzve i bëjnë gjërat pa vetëdije gjatë ditës, por nëse doni të jeni të suksesshëm duhet t’u kushtoni vëmendje shprehive tuaja të përditshme, sepse gjithçka fillon prej tyre.
Përqendrohuni në momentin e tanishëm
Kur ka qenë hera e fundit që e keni shijuar momentin? Pa u shqetësuar për atë që ka kaluar ose çfarë pritet të vijë? Jini të pranishëm në momentin e tanishëm! Hiqni qafe mendimet e skenarëve katastrofikë.
“Një budalla është gjithmonë duke u përgatitur për jetën” – Epikuri.
Shumica e aksidenteve për të cilat mendoni nuk do të ndodhin kurrë. Ndaloni të imagjinoni një rezultat negativ.
Seneca na thotë se, ndërsa gjërat e këqija mund të ndodhin në të ardhmen, ato nuk po ndodhin tani. Ndani shqetësimet e arsyeshme nga skenarët imagjinarë, apokaliptikë në kokën tuaj.
Dashuri dhe dhembshuri
Ashtu si budistët, stoikët e shohin dhembshurinë si çelësin e një jete të lumtur. Është e natyrshme që ne të jetojmë në harmoni me të tjerët dhe të ndiejmë ekuilibrin.
5 hapa për të hequr qafe ankthin sipas stoikëve:
1. Pyete veten nëse mund ta kontrollosh situatën? Nëse keni mundësi, ndryshojeni. Nëse jo, pranojeni pa stres.
2. Praktikoni zakone që ju bëjnë mirë.
3. Përqendrohuni në momentin e tanishëm.
4. Në vend që të imagjinoni një rezultat katastrofik, mendoni për gjërat e mira që vijnë në jetën tuaj.
5. Jini të mëshirshëm dhe ndihmoni të tjerët.
/Telegrafi/