Site icon Telegrafi

Si arriti Tottenhami ta rrëmbente Conten nga duart e Unitedit

(Foto: Twitter/Inter)

Antonio Conte pritet të bëhet trajner i Tottenham Hotspur, përkundër se ishte pranë që të merrte drejtimin e Manchester Unitedit.

Strategu italian ka punuar me Fabio Paratici (drejtorin e Spursave) te Juventusi gjatë viteve 2011-2014 duke fituar tre tituj të Serie A dhe një Superkupë të Italisë.

Pas largimit nga Interi, pritej që 52-vjeçari të bëjë një pauzë, mirëpo ai ka arritur marrëveshje për ta marrë drejtimin e klubit nga Londra e Veriut, edhe pse ishte në negociata me Djajtë e Kuq.

Edhe pse ishte në bisedime me Conten, Unitedi vendosi gjatë tetorit që të mos e shkarkonte Ole Gunnar Solskjaerin, por t’i jepte kohë deri në periudhën e ndeshjeve të përfaqësueseve gjatë nëntorit.

Për më shumë, sipas The Sun, Djajtë e Kuq do të detyrohen t’ia paguajnë rrogën e plotë trajnerit norvegjez në rast se e shkarkojnë, prandaj vendosën që ta shtynin shkarkimin e tij.

Pikërisht skuadra e Solskjaer e mposhti Tottenhamin dhe nxiti shkarkimin e Nuno Espirito Santos duke i hapur rrugë arritjes së marrëveshjes së Spursave me Conten.

Lexo po ashtu Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano: Conte është i gatshëm ta pranojë ofertën e Tottenhamit

Sky Sport Italia dhe Sportitalia, raportojnë se trajneri italian tashmë ndodhet në Londër, ku pritet të nënshkruajë marrëveshje prej një viti e gjysmë me klubin anglez.

Tottenhami e kishte kontaktuar Conten qëkur u largua nga Interi, mirëpo ai e refuzoi ofertën duke thënë se nuk do të merrte një klub që nuk e bind pavarësisht parave.

Ndërsa tani, Sky Sport Italia bën të ditur se një prej arsyeve pse ka ndërruar mendje është vendimi i Spursave për të investuar në afatin kalimtar të janarit.

Conte është një trajner shumë kërkues sa u përket transferimeve dhe ai ishte larguar nga Juventusi dhe Interi pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lojtarët që i dëshironte në skuadër.

Detyra e parë e tij në postin e trajnerit të Tottenhamit pritet të jetë përballka e të enjtes kundër Vitesses në Ligën e Konferencës. /Telegrafi/

Exit mobile version