Erërat e forta të ditëve të fundit, përveç dëmeve tjera kanë shkaktuar mbi 100 prishje në rrjetin elektrik, duke bërë që shumë vende të mbesin pa energji elektrike.
KEDS-i thotë se janë mbi 80 prishje në rrjetin e tensionit të mesëm, por ka prishje edhe në tensionin e ulët, me të cilin po merren edhe sot.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë për KP se të prekura janë shumë zona anekënd Kosovës, por më i dëmtuari është rajoni i Pejës, veçanërisht Deçani.
Sipas tij, janë shkaktuar rreth 80 prishje në rrjetin e Tensionit të Mesëm (10 kilovolt), por janë sanuar falë mobilizimit dhe angazhimit të madh të të gjithë punëtorëve të mirëmbajtjeve dhe prishjeve në KEDS.
“Me qëllim që të kthehet energjia elektrike sa më parë për konsumatorët, KEDS ka angazhuar edhe konstruktorë privat. Sot, në rajone të ndryshme gjendja është përmirësuar dhe ka furnizim stabil, pos në rajonin e Pejës ku po punohet në sanimin përfundimtar të prishjeve. Ka prishje edhe në tensionin e ulët, me të cilat prishje po merremi edhe sot”, ka thënë ai.
Sa i përket Deçanit dhe fshatrave për rreth, Buzhala ka thënë se kjo është komuna më e prekur por prishjet janë duke u sanuar.
“Ka me dhjetëra shtylla të thyera, të cilat po zëvendësohen. Por, ju duhet ta dini se kjo merr kohë sepse KEDS kur ka prishje apo ndonjë avari fillimisht duhet të eliminojë çdo rrezik”, ka thënë ai.