Ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë është përcjellë me shkelje dhe tejkalime të shumta ligjore, si dhe dëmtime të rrjedhës së lumenjve, e shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike.
Këto janë disa nga gjetjet e një raporti të hartuar nga një grup punues i formuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në këtë raport, që para pak ditësh i është dorëzuar ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, e të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, janë shqyrtuar të gjitha procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale si dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis.
Raporti rekomandon që të ndërpritet operimi i të gjitha hidrocentraleve që operojnë pa leje mjedisore, si dhe të hetohen të gjithë zyrtarët për shkeljet ligjore, që kanë karakterizuar ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.
Grupi punues po ashtu kërkon që të shfuqizohen të gjitha aktet e lëshuara në kundërshtim më ligjin, si dhe vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, deri në miratimin e planeve për menaxhimin e pellgjeve lumore.
Në rast se gjetjet e raportit merren parasysh nga Qeveria, atëherë shumica e hidrocentraleve do të jenë të obliguara që për një afat të pacaktuar, të ndalin punën e tyre.
Hidrocentralet e Deçanit me shumë shkelje
Prej kohës kur filloi ndërtimi i hidrocentraleve në atë që njihet si Gryka e Deçanit, pati kundërshtime të banorëve të zonës, mirëpo kjo nuk i pengoi institucionet, e as autoritetet lokale që të lejojnë ndërtimin e tyre.
Për hidrocentralet që ndodhen në rrjedhën e Lumëbardhit në Deçan, në raportin e grupit punues, konstatohet se përveç që është dëmtuar rrjedha e lumit dhe nuk është respektuar minimumi ekologjik, po ashtu kanë ndodhur shkelje ligjore në ndërtimin e objekteve të hidrocentraleve.
“Ndërtesat e dy HC (Lumëbardhi II dhe Belaja), janë ndërtuar në pronë ujore në afërsi të drejtpërdrejtë të lumit, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat (neni 48) 12, që përcakton distancën prej minimum 30 metra për ndërtimin e objekteve nga vija e plotave (ujërat 100-vjeçare)”, thuhet në raport.
Kundërligjore te këto hidrocentrale ka rezultuar të jetë edhe një marrëveshje për shfrytëzim të tokës pyjore që kompania Kelkos Energy, kishte nënshkruar me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.
Sipas raportit, shpeshherë, hidrocentralet kanë bërë ndërhyje në projekt pa pëlqimin e Ministrisë.
“Në HC “Lumëbardhi II” janë bërë ndryshime në projekt pa pëlqimin e Ministrisë, siç kërkohet me vendim për leje ndërtimore”, thuhet në raport.
Grupi punues po ashtu gjen se kompania Kelkos Energy, në mënyrë të jashtëligjshme ka bërë eksploatimin e zhavorrit nga lokacioni që njihet si Zalli i Rupës.
Dy nga hidrocentralet e Deçanit, “HC Deçani” dhe “HC Belaja”, janë ndërtuar brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Sa u takon hidrocentraleve të Deçanit, grupi punues i ka rekomanduar Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të obligojë kompaninë Kelkos Energy, që mes tjerash të kushtëzohet me lëshimin e lejes mjedisore për ndërtimin e digës në liqenin në Zallin e Rupës, pasi kjo kishte qenë edhe marrëveshje në mes të investitorit dhe komunës së Deçanit.
Shkelje të shumta edhe në hidrocentralet e Shtërpcës
Një nga hidrocentralet kryesore në atë që njihet si kaskada e Lepencit e që është hidrocentrali Brezovica, vazhdon të operojë pa leje mjedisore.
Ky hidrocentral, që është në pronësi të kompanisë “Matkos Group”, ka arritur që të marrë pëlqim ujor pa i përmbushur kushtet ujore.
Kjo është nga lejet më të rëndësishme për operim të hidrocentraleve.
“Ky pëlqim ujor është lëshuar pa i përmbushur asnjë prej kushteve ujore të përcaktuara me aktvendimin e datës 15/06/2015, kushte këto të përsëritura me aktvendimin (Konkluzionin) e datës 3/07/2015”, thuhet në raport.
Me tej, grupi punues ka gjetur se “leja ndërtimore për këtë hidrocentral është lëshuar në pronë ujore, në afërsi të drejtpërdrejtë të lumit, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës”.
Po ashtu shkelje tjetër në këtë rast është gjetur edhe në dhënien për shfrytëzim të pronës ujore nga komuna e Shtërpcës.
Përpos Brezovicës, grupi punues ka gjetur shumë shkelje ligjore edhe në tri hidrocentralet e tjera në kaskadën e Lepencit, hidrocentralin “”Sharri”, “Shtërpca” dhe “Viça”.
“Për asnjërën prej katër HC-eve nuk janë lëshuar lejet mjedisore, por megjithatë të tërat janë në operim”, thuhet në raport.
Për të gjitha këto hidrocentrale, rekomandohet pezullimi i operimit deri në plotësimin e të gjitha rekomandimeve të dala nga ky raport.
Shkelje të njëjta edhe në hidrocentralet e Brodit dhe Restelicës
Raporti i grupit punues ka gjetur shkelje thuajse të ngjashme edhe në hidrocentralet e Brodit dhe Restelicës në Dragash.
Për hidrocentralet “Brodi 1”, “Brodi 2” dhe “Brodi 3”, ishte lëshuar jashtëligjshëm vetëm një pëlqim mjedisor. Sa i përket lejes mjedisore, e njëjta nuk është lëshuar ende – përkundër kësaj hidrocentrali operon në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Mbrojtje të Mjedisit nr. 03/l-025”, thuhet në raport.
Te dy hidrocentralet tjera “Restelica 1 dhe 2” dhe “Restelica 3”, janë evidentuar po ashtu shkelje ligjore si dhe ndërtime në pronë ujore.
Shkelje të ngjashme si këto janë gjetur në shumicën e hidrocentraleve të tjera që operojnë në Kosovë.
Heshtja e Qeverisë
Ka disa javë prej kur Radio Evropa e Lirë është duke provuar që të marrë përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, se a janë duke planifikuar marrjen e masave ndaj hidrocentraleve që është evidentuar se kanë kryer shkelje ligjore.
Por në këtë Ministri nuk kanë qenë të gatshëm që të japin informacione. Ditë më parë, marrjen e masave e ka paralajmëruar zëvendësministrja e Mjedisit, Linda Çavdarbasha.
Kabineti i ministrit, Liburn Aliu nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e REL-it se a do të merren parasysh rekomandimet e raportit të grupit punues, që evidentoi shkeljet nga hidrocentralet.
Kërkohet veprim i shpejtë institucional
Ditë më parë, Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, ka publikuar një raport që ka evidentuar po ashtu shkelje të shumta ligjore nga hidrocentralet.
Dardan Kadaj, nga ky Institut, thotë se në Kosovë hidrocentralet janë ndërtuar pa respektuar procedurat ligjore si dhe në mungesë totale të transparencës.
“Leja për hidrocentrale duhet të jepet përmes koncesionit, pra në të cilën procedurë disa investitorë konkurrojnë me njëri-tjetrin dhe kjo i jep mundësi autoritetit publik me zgjedhë investitorin më të mirë. Pra duke i marrë parasysh edhe përfitimet, të cilat komuniteti mundet me i pas prej investitorit”, thotë Kadaj.
Kadaj thotë se Qeveria duhet të ndalojë operimin e çdo hidrocentrali i cili nuk i plotëson kriteret ligjore për operim.
“Kishte me qenë asgjë më shumë sesa e logjikshme që puna e hidrocentraleve pa leje mjedisore, të pezullohet, të ndërpritet, sidomos puna e hidrocentraleve që nuk kanë asnjë lloj leje derisa të rregullohet e gjitha, qoftë me legjislacion, qoftë prej veprimeve të Qeverisë”, tha Kadaj.
Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë – (ZRrE), vlera e përgjithshme e investimeve në hidrocentrale të cilat janë në operim, arrin shifrën rreth 122 milionë euro.
Përkundër investimeve në hidrocentrale, rreth 95 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet me thëngjill, ndërsa vetëm 2.7 për qind nga hidrocentralet.
Pjesa tjetër prodhohet nga era, si dhe nga panelet solare. /Rel/