Telegrafi

Shumë lëshime në ndeshjen Argjentinë – Brazil, suspendohen gjyqtarët që ndanë drejtësinë

Derbi i madh i Amerikës së Jugut mes Argjentinës dhe Brazilit përfundoi pa gola, por  në qendër të ndeshjes ishte gjyqtari Andres Cunha, i cili u pezullua për shkak se nuk e bëri detyrën si duhet.

Në ndeshjen që përfundoi me rezultatin 0:0, kishte shumë vrazhdësi, 41 faulle dhe shtatë kartonë të verdhë, por gjyqtari uruguaian nuk ia dha karton të kuq Nicolas Otamendit në minutën e 34-të.

Mbrojtësi argjentinas e ka goditur qëllimisht Raphinhan në kokë me bërryl, duke i gjakosur buzës.

Për Cunhan jo që nuk ishte i kuq, por nuk i dha karton të verdhë argjentinasit.

Cunha kërkoi edhe ndihmën e gjyqtarit nga salla VAR, ku ishte Esteban Ostojich, i cili konfirmoi vendimin e tij.

Përfundimisht, Shoqata e Futbollit të Amerikës së Jugut i pezulloi të dy për një kohë të pacaktuar për shkak të këtij lëshimi të madh. /Telegrafi/