Grigoriy Surkis, njëri prej pesë zëvendëspresidentëve të UEFA-s, ka njoftuar se vendimi për kualifikimet në Kampionatin Botëror për Kosovën dhe Gjibraltarin është shtyrë.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s sot ka pasur një takim në të cilin pritej të vendosej rreth pjesëmarrjes së Kosovës dhe Gjibraltarit në kualifikimet për Rusia 2018, por vendimi për këto dy shtete nuk është marrë sot.
“Vendimi për kualifikime në Kampionatin Botëror për Kosovën dhe Gjibraltarin sot nuk është marr. Është formuar një komision special i cili do të vendos për këtë çështje”, ka thënë Grigoriy Surkis, një prej pesë zëvendëspresidentëve të UEFA-s për agjencinë ruse të lajmeve TASS, pas takimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Nuk dihet saktë se kur do të mbahet mbledhja e radhës, e cila do të vendos nëse Kosova do të jetë në grupin H apo I, në kualifikimet për Botëror.
Në Grupin H gjenden Belgjika, Bosnja e Hercegovina, Greqia, Estonia e Qipro, kurse në atë I janë Kroacia, Ukraina, Islanda, Turqia e Finlanda.