Ndeshja mes Leicester dhe Tottenham në Ligën Premier e paraparë të zhvillohet të enjten është shtyrë për shkak të një shpërthimi të COVID-19 në të dy skuadrat.
Shtyrja e ndeshjes vjen pasi Leicesteri ka bërë një kërkesë të dytë në Ligën Premier që ndeshja të anulohej, pasi skuadra vendase kishte konfirmuar disa raste pozitive me coronavirus mëngjesin e së enjtes.
Trajneri i Leicesterit, Brendan Rodgers kishte thënë të mërkurën se ishte “zhgënjyese” që Liga Premier kishte refuzuar një kërkesë fillestare nga Dhelprat për shtyrjen e ndeshjes.
“Leicester City mund të konfirmojë se Bordi i Ligës Premier ka vendosur të shtyjë ndeshjen e së enjtes mbrëma kundër Tottenham Hotspur”.
Leicester City can confirm that the Premier League Board has decided to postpone Thursday night’s fixture against Tottenham Hotspur.
— Leicester City (@LCFC) December 16, 2021
“Vendimi është marrë me udhëzim nga këshilltarët mjekësorë pasi Klubi ka riparaqitur kërkesën e tij për shtyrje pas konfirmimit këtë mëngjes (të enjten) të testeve të mëtejshme pozitive për Covid-19 brenda skuadrës së parë. Si rezultat, klubi ka një numër të pamjaftueshëm të lojtarëve të ekipit të parë në dispozicion për të luajtur ndeshjen”, thuhet në deklaratën e klubit.
Leicester shtoi se ekipi i parë do të mbyllet në terrenin e tyre stërvitor për 48 orë./Telegrafi/