Site icon Telegrafi

Shtyhet fillimi i kampionatit të ri për një javë në të gjitha ligat

Federata e Futbollit e Kosovës njofton klubet dhe opinionin se Komisioni për Çështje Urgjente i KE-s ka vendosur që fillimi i kampionatit të ri në të gjitha kategoritë të shtyhet për një javë.

Në fakt, edicioni i ri ishte planifikuar të nisë më 12 shtator dhe Federata e Futbollit e Kosovës me të gjitha organet e saj i kishte bërë përgatitjet e nevojshme për të nisur garat në këtë datë, mirëpo pas konsultimeve të sotme të krerëve të FFK-së me institucionet e vendit u vendos shtyrja e kampionatit për një javë.

Në takimin e mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë, ku përveç ministrit Armend Zemaj dhe presidentit Agim Ademi e sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu morën pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, ministrja e Sportit, Vlora Dumoshi, drejtori i IKSHPK-së, dr.Naser Ramadani, kryesuesi i Bordit Këshillëdhënës në luftën kundër COVID-19, dr. Lul Raka dhe përfaqësuesit e Policisë.

Aty u diskutuan të gjitha detajet rreth fillimit të garave në futboll dhe u paraqitën të gjitha protokollet dhe manualet në mbrojtje nga COVID-19, e të cilat FFK i ka përmbushur.

Megjithatë, duke pasur parasysh se vendimin për ndalimin e aktiviteteve në futboll dhe në sport në përgjithësi e ka marrë Qeveria, atëherë u vendos që të pritet kthimi i kryeministrit në vend dhe marrja e vendimit nga ekzekutivi.

Për këtë arsye, u vendos që kampionati të shtyhet për një javë.

Exit mobile version