Marash Kumbulla vazhdon të zgjojë interesimin e shumë skuadrave të mëdha evropiane.
Qendërmbrojtësi shqiptar ka bërë një sezon të madh me Veronën dhe kjo ka bërë që ai të bëhet njëri nga mbrojtësit më të kërkuar në Evropë.
Inter, Napoli, Fiorentina dhe Lazio janë skuadrat italiane që po e duan mbrojtësin, ndërsa Everton, Tottenham Hotspur dhe Manchester United janë ato nga Anglia.
Interesim për reprezentuesin shqiptar kanë treguar edhe tri skuadrat e mëdha gjermane, Borussia Dortmund, Schalke 04 dhe Eintracht Frankfurt.
E së fundmi në garë është futur edhe gjiganti francez Olympique Lyon.
Ka qenë e përditshmja franceze L’Equipe që ka raportuar se Lyon po dëshiron të nënshkruajë sa më parë me Kumbullën.
Trajneri Rudi Garcia e pëlqen shumë shqiptarin dhe Lyon është gati të paguajë deri në 25 milionë euro për të.
Në anën tjetër Hellas Verona u ka bërë të qartë klubeve se do të kërkojë që të fitojë sa më shumë nga shitja e shqiptarit, derisa besohet se transferimi i tij mund të kaloj shifrën e 30 milionë eurove. /Telegrafi/