Site icon Telegrafi

Shtimja rrezikon ta humb Grantin e përformancës shkaku i vendimeve të kundërligjshme

Kuvendi Komunal në Shtime gjatë kohës së fundit po përballet me një varg vendimesh të kundërligjshme të cilat janë kthyer për rishqyrtim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe e Infrastrukturës.

Vetëm në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në javën e kaluar, janë shqyrtuar katër vendime të kundërligjshme. Me telashe të tilla Kuvendi është përballur edhe gjatë vitit të kaluar derisa kishte marrë gjithsejtë tetë vendime në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Opozita në këtë komunë, PDK-ja, ka kritikuar qeverisjen lokale për shkelje ligjore në disa fusha dhe ka shprehur dyshimet se shkaku i këtyre vendimeve kjo komunë rrezikon ta humb Grantin e Përformancës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që është parakusht në mesin e pesë shtyllave kryesore.

Në disa raste Kuvendi Komunal ka marrë edhe vendime në kundërshtim me Planin Zhvillimor Komunal, duke ndarë parcela për projekte të ndryshme të cilat nuk ishin planifikuar më parë për destinime të tilla.

Ndërkaq, sipas një raporti të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të cilin e ka siguruar Telegrafi, midis të tjerash thuhet se njëra prej pesë shtyllave kryesore që komunat mund të dështojnë ta fitojnë grantin e përformancës janë edhe vendimet e kundërligjshme të Kuvendeve Komunale.

Andaj në këtë raport Komunës së Shtimes i numërohen tetë vendime të kundërligjshme vetëm për vitin 2023.

“Duke marrë për bazë se shqyrtimi i akteve nga kuvendet e komunave është njëri prej pesë kritereve për Grand të Përformancës, bashkangjitur e gjeni vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Kuvendeve të Komunave të kthyera në rishqyrtim nga MAPL-ja dhe ministritë e linjës për vitin 2023. MAPL-ja, ofron përkrahje për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisjen lokale në Republikën e Kosovës”, thuhet midis të tjerash në raport.

Rreth kësaj çështje nëpërmjet një shkrese ka reaguar subjekti opozitar PDK-ja në Shtime e cila ka shprehur shqetësime lidhur me vendimet e kundërligjshme të cilat po rikthehen nga niveli qendror.

Kryetari i këtij subjekti në Shtime Rrahman Jakupi, ka thënë se për fat të keq komuna është duke u përballur në vazhdimësi me vendime të kundërligjshme si pasojë e keq-menaxhimit të qeverisjes së koalicionit LVV-LDK-AKR në Shtime.

“Pasojat e vendimeve të kundërligjshme janë të mëdha, për shkak se në vlerësimin e performances sidomos në fushën e ‘Qeverisjes demokratike’ e cila është ndër indikatorët e rëndësishëm për vlerësimin e performances se Komunave nga MAPL dhe organizata ndërkombëtare, ne si Komuna do të vlerësohemi me pikë negative andaj edhe ekziston rreziku që ta humbasim këtë grant si dhe të vleresohemi me pikë negative”, ka kritikuar Jakupi.

Ndërkohë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Shtime, lidhur me këto vendime ka reaguar edhe kuvendari i pavarur Reshat Mujota, i cili ka kërkuar që zyrtarët ligjor të marrin pjesë në mbledhje të kuvendit me arsyetim që të shikohet baza ligjore e secilit vendim.

“Kisha pasur kërkesë se në katër pika kemi propozim- vendime për ndryshime, kisha pasur dëshirë të jetë përfaqësuesi ligjor prezent. Unë kisha thënë derisa të vije përfaqësuesi ligjor mos ta aprovojmë këtë rend të ditës sepse i kemi katër pika të ndishme dhe duhet prezenca e tij në Kuvend”, ka thënë Mujota.

Telegrafi, ka siguruar shumicën e vendimeve që janë kthyer të kundërligjshme në Kuvendinë Komunal në Shtime. Ndërkaq, në një vendim të Ministisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe e Infrastrukturës të cilin e ka siguruar Telegrafi, thuhet se pas shqyrtimit të vendimit për destinimin e pronës së komunës së Shtimes për aktivitete të ngushëllimeve të komunitetit të fshatit Pjetërshticë, i miratuar nga Kuvendi Komunal dhe bazuar në dispozitat e ligjit për planifikimin Hapësinor dhe akteve nënligjore në fuqi, konstatoi se: Hyrja e vendimit duhet të ketë bazë në ligjin Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, pastaj të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor.

“Vendimi duhet të jetë i bazuar në dokumentet e planifikimit hapësinor sipas ligjit dhe dokumentet tjera që janë të parapara me këtë ligj”, thuhet në vendimin e MMPHI-së dërguar Komunës së Shtime. Sipas këtij vendimi, më tej sqarohet se Kuvendi Komunal në Shtime duhet ta shqyrtojë ligjshmërinë e vendimit sepse thuhet se nuk lejohet destinim tjetër apo shfrytëzueshmëri tjetër nga ajo që është e paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor.

“Të veprohet sipas vlerësimit të ligjshmërisë së aktit nga MMPHI-ja, dhe të merret vendim i drejtë dhe i ligjshëm në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi, jo më vonë se afati i paraparë në diapozitivat e nenit 9 të Rregullores (QRK) Nr.06/2021 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores (QRK) Nr.10/2019 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave”, thuhet më tej në vendimin e MMPHI-së.

 

 

Në anën tjetër, kryesuesi i Kuvendit Komunal në Shtime, Adnan Ademi, në mbledhjen e fundit të Kuvendit, lidhur me vendimet e kundërligjshme ka thënë se zyrtari ligjor i Komunës nuk mund ta jepte një interpretim të drejtpërdrejtë pa e shikuar interpretimin ligjor.

“Jemi njerëz dhe mund të gabojmë te baza ligjore, andaj është në rregull sepse është gabuar. Por, mirë që e kemi një organ i cili i shqyrton vendimet e në këtë rast është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose ministritë e linjës dhe ato na kanë kthyer konfirmimin të rikthehet në rishqyrtim. Obligimi im ligjor si kryesues i Kuvendit është me i kthy në rishqyrtim”, ka sqaruar Ademi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version