Telegrafi

Shtëpia e familjes më të pasur në botë është një tronditje për të gjitha shqisat: Atë që posedojnë, askush nuk mund ta ëndërrojë

Shtëpia e Nahjanit është dinastia më e pasur në pushtet që themeloi dhe ende sundon Abu Dhabin. Kështu jetojnë ata

Familja Al Nahjan, e njohur ndryshe edhe si “Shtëpia e Nahjanit”, është familja më e pasur në botë. Kreu i familjes, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, është sundimtari i Abu Dhabit dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

Pasuria e tyre vjen nga rezervat e mëdha të naftës, ndërsa Abu Dhabi është një nga emiratet më të pasura, veçanërisht i pasur me naftë.

Sheikh Mohammed u bë sundimtar i Abu Dhabit dhe president i Emirateve të Bashkuara Arabe në 2022. Para kësaj, vëllai i tij, Sheikh Khalifa, ishte udhëheqësi i vendit nga viti 2004 deri në vitin 2022. Dhe para kësaj, babai i tij, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, ishte president i vendit, që nga themelimi i tij në vitin 1971 deri në vitin 2004, kur u pasua nga djali i tij, transmeton Telegrafi.

Shtëpia e Nahjanit, me një pasuri të jashtëzakonshme prej 305 miliardë dollarësh. Investimet e tyre të mirëmenduara në një sërë industrish, duke përfshirë infrastrukturën, pasuritë e paluajtshme dhe bankat, përshpejtuan zhvillimin e Abu Dhabit në një qendër të madhe financiare ndërkombëtare.

Kjo familje zotëron një pallat me vlerë 4.078 milionë dollarë, një flotë avionësh dhe jahtesh private, duke përfshirë 4 jahtet më të mëdhanë botë dhe pronësinë e klubit të famshëm të futbollit Manchester City.

Në krye është Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, ose MBZ, i cili mbikëqyr një rrjet të gjerë familjar të përbërë nga 18 vëllezër, 11 motra, nëntë fëmijë dhe 18 nipër e mbesa. Kjo strukturë e gjerë familjare thekson gjerësinë e ndikimit të tyre.

Ndikimi i tyre financiar global është i madh; familja Al Nahyan, zotëron rreth gjashtë për qind të rezervave botërore të naftës. Por përveç naftës, familja ka një sërë investimesh tepër të menduara mirë në pothuajse çdo industri, duke përfshirë markën e bukurisë së Rihanna-s, si dhe projektin SpaceX të Elon Musk.

Shtëpia kryesore e kësaj familjeje ndodhet në Abu Dhabi dhe quhet Qasr Al Watan, është edhe pallati presidencial i vendosur në një ambient të qetë. Ajo shtrihet në rreth 94 hektarë, ndërsa është zbukuruar me një llambadar prej 350 mijë kristale që peshon 12 tonë.

Krahu perëndimor është i destinuar për vizita politike dhe ngjarje shoqërore.

Ai përmban efekte të çmuara artistike dhe historike. Familja Al Nahyan hapi gjithashtu Muzeun e Luvrit në Abu Dhabi, më i madhi në Gadishullin Arabik.

Ky muze përfaqëson një urë midis artit perëndimor dhe atij lindor dhe strehon ekspozita të rëndësishme si një statujë e një princeshe me mustaqe nga viti 3000 pes, një portret i Paul Gauguin dhe një pikturë nga Leonardo da Vinci.

Kjo familje zotëron jahtet më të shtrenjta dhe më të mëdha në botë, siç është ai i quajtur Azam, i cili mund të akomodojë mbi 100 persona. /Telegrafi/