Në Deçan është inauguruar një shteg i ri malor “Shtegu i Gështenjës”, si pjesë e shtegut ndërkombëtar të Via Dinarica, i cili fillon nga qyteti i Deçanit dhe vazhdon në Bjeshkën e Madhe deri te Liqeni i Zemrës.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, theksoi rëndësinë e këtij shtegu për turizmin dhe rekreacionin, duke e shoqëruar edhe me disa fotografi.
“Ky shteg është një mrekulli natyrore që tanimë është lehtësisht i qasshëm falë punës së palodhur dhe përkushtimit dyvjeçar të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik – Sektori i Turizmit, në kuadër të projektit #NaturKosovo. Ky shteg i ri ofron mundësi të reja për turizëm, rekreacion dhe eksplorim të natyrës. Falënderojmë të gjithë ata që morën pjesë në promovimin e shtegut të ri në Deçan, të cilët patën mundësinë të përjetojnë nga afër bukuritë e rralla të këtij rajoni”, ka shkruar Ramosaj, transmeton Telegrafi.
Ky projekt i rëndësishëm është realizuar në kuadër të punës së Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik – Sektori i Turizmit, si pjesë e iniciativës #NaturKosovo. /Telegrafi/