Site icon Telegrafi

Shtatzënia dhe rëndësia e kujdesit ndaj higjienës orale

Dr.Tefta Mjekiqi- Bislimi

Në fillim të shtatzënisë ndodhin ndryshime hormonale, që karakterizohen edhe me ndryshime në dhëmbë, mukozën orale si dhe ndryshime në mishrat e dhëmbëve

Dr. Tefta Mjekiqi – Bislimi
Stomatologe
tel. 044-153-454

Shumë nga gratë shtatzëna heqin dorë nga higjiena e rregullt orale gjatë tre mujorit të parë të shtatzënisë, si pasojë e simptomave që i përcjellin një pjesë të madhe të femrave shtatzëna, siç janë: vjelljet e mëngjesit, mundimet, irritimet nga ushqimet si dhe dietat e çrregullta.

Si pasojë e ndjenjës së vjelljes, e poashtu edhe vetë vjelljes së mëngjesit, shumë femra shtatzënë nuk mund të përballojnë përdorimin e brushës apo pastave të ndryshme, si pasojë e refleksit shumë të ndjeshëm të vjelljes. Domethënë pastrimi i plotë i dhëmbëve është i pakëndshëm.

Si pasojë e të vjellave të shpeshta që kanë në përbërje acid përbërës të lukthit, shkaktohet dëmtimi i strukturës së smaltit të dhëmbëve, ku mund të sjellë deri tek demineralizimi i vetë përbërjes së smaltit, ku dhëmbët janë në favor për t’u sulmuar nga kariesi (prishja e dhëmbit).

Përveç kariesit, gratë shtatzëna mund të ballafaqohen edhe me ndryshime në strukturën mbajtëse të vetë dhëmbëve siç janë: inflamacioni i mishrave të dhëmbëve gjegjësisht (gingiviteve), të cilat gjakosin gjatë larjes së dhëmbëve. Gingivitet e patrajtuara, sjellin deri tek formimi i xhepave parodontal, gjegjësisht paradontopatisë (sëmundje që sjellë në humbje të dhëmbëve).

Çdo grua shtatzënë, së bashku me problemet që përmendëm, duhet patjetër të bëjnë kontrolle të rregullta tek stomatologu, edhe gjatë periudhës së shtatzënisë, sepse ka mundësi trajtimi me kohë në stadet fillestare te ndryshimeve. Trajtimet që kërkojnë trajtime të gjera, ndihmohen të shtyhen së paku deri pas kryerjes së lindjes.

Faktorë shumë me rëndësi gjatë periudhës së shtatzënisë për dhëmbë të shëndetshëm luan edhe dieta ushqimore, e pasur me vitamina dhe minerale. Të konsumohen sa më pak ushqime me sheqer, ndërsa preferohen të kompensohen me karbohidrate te shëndetshme siç janë: bishtajat, patatet, banania në sasi të kufizuar, dhe orizi.

Është me rëndësi që dieta ushqimore, të jetë e pasur me sasi të mjaftueshme të hekurit, jodit, acidit folik (si rezultat i pengimit të zhvillimit të ndryshimeve kongjenitale tek fetusi si spina bifida).

Përbërësit e domosdoshëm ushqimor gjatë shtatzënisë

Kalciumi (duke konsumuar produkte të mjaftueshme të qumështit, sepse përveç rëndësisë gjatë zhvillimit të fetusit, ndikon direkt edhe në ruajtjen e strukturës kockore tek gruaja shtatzënë, ku përfshihen edhe dhëmbët e nënës e poashtu edhe te fetusit).

Vitamina A është e rëndësishme sepse ndihmon në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e membranave të mukozës orale dhe organeve të frymëmarrjes. Kjo vitaminë gjendet në këto përbërje ushqimore si: lakër jeshile, karota, spinaq, fruta deti, domate, brokoli, kungull, kajsi dhe qumësht.

Vitamina C ka rol në mbrojtjen (duke i forcuar enët e gjakut) nga gjakderdhjet. Mungesa e kësaj vitamine manifestohet me mavijosje të lehta, mishi i dhëmbëve gjakos lehtë, ku rrezikohet humbja e tyre. Produkte të pasura me vitaminë C janë: portokalli, kivi, speci i gjelbër, ananasi, shalqiri, rrushi, lakër brukseli, domatet, etj. Për vitaminat A dhe C është i detyrueshëm konsumimi i tyre gjatë shtatzënisë, sepse luajnë rol te rëndësishëm në zhvillimin e dhëmbëve tek fetusi, e poashtu ndihmojnë edhe gruan shtatzënë që të ketë mishin e të dhëmbëve më të shëndetshëm.

Fluori ndihmon dhëmbët që të jenë më rezistent ndaj formimit të karieseve, si pasojë e veprimit të acideve. Secila grua shtatzënë është e obligueshme që të konsumojë gjatë ditës 1 mg fluoride, çoftë përmes ujit mineral apo ujit natyral të pagazuar (që përmban 4 gota ujë =1 mg fluor), si dhe të përdoren pasta të dhëmbëve të pasura me fluor.

Gjatë konsumimit të ushqimit, preferohet përtypje e fortë dhe e gjatë e ushqimit, sepse kjo është një nga metodat më të lehta dhe efikase që mund të bëjë gruaja shtatzënë për ruajtjen dhe stimulimin e fortësisë së mishit të dhëmbëve, e cila njëherazi ka efekt shumë pozitiv, sidomos tek gingivitet (inflamacionet e mishit të dhëmbëve).

Krijimi i një pjesëtari të ri në familje, është shumë i veçantë dhe diçka e bukur për secilin, por kujdesi gjatë zhvillimit të tij embrional, kërkon kujdes dhe rëndësi të posaçme nga vetë nëna. Andaj, gruaja shtatzënë me dhëmbë të shëndoshë dhe higjienë orale në nivel të duhur do të ketë edhe një foshnje të shëndoshë që do t’i sjellë kënaqësi të veçantë të dy prindërve. /Telegrafi/

Exit mobile version